AKTUALITET /

‘Më tha më lër të digjem’, flet zjarrfikësi që i shpëtoi jetën një gruaje nga zjarri në kompleksin ‘Arlis’

Shkruar nga Versus
‘Më tha më lër të digjem’, flet zjarrfikësi
Jonus Murataj duke shpëtuar gruan nga zjarri në Arlis

Një ndërhyrje e rrezikshme dhe heroike është regjistruar gjatë zjarrit në kompleksin 'Arlis', ku një efektiv i shërbimit zjarrfikës u vu në qendër të vëmendjes pasi shpëtoi një grua në kushte të vështira dhe pranë flakëve.

Sipas dëshmive në vendngjarje, zjarrfikësi u pa teksa ngjitej në shkallë shumë pranë zonës së përfshirë nga zjarri, duke arritur të evakuojë banoren në momentet kritike.

Për shkak të rrezikut nga rrëzimi i materialeve ndërtimore, ai i vendosi asaj edhe kaskën e tij mbrojtëse.

Shefi i shërbimit zjarrfikës, Jonus Murataj, ka treguar për situatën e vështirë dhe momentet e ndërhyrjes:

“Më tha lemë të digjem me gjithë shpi dhe i thashë eja se o ta shuajmë flakën brenda shtëpisë dhe do jetë prapë funksionale për ju. Isha i detyruar të shkoja sepse më njoftoi e bija,, e gjej zonjën të asfiksuar dhe ishte tmerruar…. Kokoren ia vendosa, sepse nga lartësitë kishte rënie të pjesëve metalike dhe tullat, dhe isha i detyruar t’ia vendosja sepse banori nuk është i specializuar që banori të zbresë nga autoshkalla”, u shpreh Murataj për TCH.

Ai theksoi gjithashtu se ndërhyrja e shpejtë e ekipit të zjarrfikësve shmangu përhapjen e flakëve në pjesë të tjera të kompleksit.

“Kemi bërë prerjen e zonës që zjarri të mos përhapej në pjesët e tjera. Në të njëjtën kohë kemi kryer evakuimin e banorëve dhe fikjen e zjarrit”, shtoi ai.

Sipas autoriteteve, ndërhyrja në kohë ishte vendimtare, pasi nëse flakët nuk do të izoloheshin, dëmet do të ishin shumë më të mëdha dhe mund të rrezikohej e gjithë godina.

Ekipi i zjarrfikësve ka qëndruar në terren gjatë gjithë natës dhe në vazhdim, pasi në disa momente janë riaktivizuar vatra të vogla, të cilat janë neutralizuar menjëherë./Versus.al

Poll