
Nuk kanë të sosur skandalet e zbuluara nga bisedat e zbardhura mes mjekëve të spitalit të Onkologjikut. Përveç mungesës së ilaçeve për pacientët e sëmurë me kancer dhe mungesa e ofrimit të trajtimit të tyre, tashmë fakte të tjera zbulojnë edhe mungesën e analizave që pacientët e sëmurë me kancer duhet të bënin.
Pavarësisht se këto analiza janë jetike për të sëmurët me kancer pasi përcakton sesa të gatshëm janë ata për t’ju nënshtruar një kimioterapie, në bisedën e grupit në ‘whatsapp’ në vitin 2022, kryeinfermieri i spitalit njofton mjekët onkologë që të mos bëjnë analiza të shumta për pacientët që vuajnë nga kanceri pasi buxheti i laboratorit është ezauruar.
Në komunikimet e publikuara nga gazetari Osman Stafa, disa prej mjekëve shprehin habi duke thënë se nuk kanë kryer shërbime të tilla për pacientët dhe është e habitshme sesi buxheti është ezauruar. Në një tjetër mesazh, kryeinfermieri u bën thirrje mjekëve që të marrin më me seriozitet njoftimin për analizat dhe të mos bëjnë debat me koncesionarin që e ofron shërbimin.
Biseda me mesazhe mes mjekëve:
A.R (kryeinfermier): Përshëndetje, përveç rasteve urgjente nuk do të kryhen analiza për pacientët këto ditët e pushimeve. Dhe rastet urgjente do plotësohen me bllokun e kuq të urgjencës” shkruan kryeinfermieri A.R.
A.R (kryeinfermier): Ju njoftoj se buxheti i laboratorit për muajin maj është ezauruar në masën 91%. Në këto kushte do të vijojmë vetëm me rastet urgjente deri më datën 1 qershor. “
E.C (mjek onkolog): Si u harxhuan kur shumica jonë nuk ka kërkuar analiza
S.S (mjek onkolog): Po ata të nefros për çdo shtrim kërkojnë gjithë markuesit tumoral, ç’mos mbarojë fondi
E.C (mjek onkolog): Ata na e paskan harxhuar buxhetin
A.R (kryeinfermier): Përshëndetje të gjithëve, ju njoftoj se është ezauruar 100% e buxhetit të laboratorit. Si rrjedhojë mund të mbulohen vetëm 5% e volumit të urgjencave.
Ju lutem sigurohuni që i gjithë stafi të marrë njoftimin pasi gjatë gjithë javës kanë vijuar rutinën dhe disa nga specializantët kanë bërë debat me koncesionarin. Ndërkohë, specializantët nuk duhet të referojnë fare asnjë test. Lutem në vëmendjen tuaj. Njoftim nga drejtoria.
A.R (kryeinfermier): Përshëndetje, në lidhje me analizat që merren në pavion. Për muajin gusht pavioni i kimioterapisë ka një buxhet prej 200 mijë lekësh të vjetra dhe nuk duhet të tejkalohet. Kështu që ju lutem analizat me racion.
Në përgjimet e zbardhura ditën e djeshme, tregohej sesi mjekët onkologë kryenin vepër penale duke u përgjysmuar ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe duke mos u dhënë ilaçet e nevojshme për kimoterapinë e tyre.
Skandali i mungesës së shërbimit ndaj pacientëve të sëmurë me kancer në spitalin e Onkologjikut, u zbulua në qershor të këtij viti kur prokurori i Tiranës Bledar Valikaj lëshoi disa masa arresti shtëpiak ndaj mjekëve onkolgë, Edmond Gashi dhe Alketa Pere si dhe ndaj ish-zv drejtoreshës së QSUT, Brikena Qiriazi. Gashi akuzohet se nuk u ofronte trajtim pacientëve dhe i drejtonte ata për në klinikën e tij “Megis” ku u merrte shuma të majme parash për operacione të panevojshme dhe ilaçe të cilat shteti duhet t’ua siguronte falas. Bashkëpunëtore e tij në këtë skemë, dyshohet të jetë edhe mjekja Alketa Pere e cila sipas prokurorisë, ishte e punësuar në klinikën private dhe drejtonte pacientët drejt saj duke mos u ofruar shërbim në spitalin publik. Në seancën ku u caktuan masat fillestare të arrestit, mjekët folën për mediat ku mohuan akuzat ndaj tyre, ndërsa mjekja Pere pati edhe kritika për fotot që i kishin publikuar në lajme, duke u shqetësuar më së shumti për këtë fakt sesa për dëmin e shkaktuar ndaj pacientëve të sëmurë me kancer.
Në vijim, janë publikuar vazhdimisht biseda të cilat janë zhvilluar mes mjekëve të Onkologjikut mes viteve 2019-2022, ku tregohen qartë shkeljet dhe veprat penale të kryera në detyrën e tyre. Versus,al investigoi më tej skandalin e Onkologjikut, ku u mësua më pas se pajisjet e trajtimit me kancer nuk ishin vënë në punë dhe ishin lënë në harresë duke vënë në rrezik edhe shëndetin e stafit të spitalit dhe të pacientëve që shkonin për trajtim për shkak të rrezeve radioaktive që ato përcillnin. Versus.al








