Berat- Prokuroria e rrethit ka bërë me dije sot se ka nisur hetimet ndaj ish-kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror të Beratit, Aleksandër Shulla dhe djalit tëtij P.Sh për tre vepra penale, konkretisht: ‘Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar’.
Sipas prokurorisë, nga informacionet e siguruara falë hetimeve të kryera deri më tani, u zbulua se në një ambient në lagjen “30 vjetori” në një lokal që drejtohej nga djali i Aleksandër Shullës, zhvilloheshin lojëra fati dhe u konstatuan kompjutera të markave të ndryshme me lojëra të ngjashme me ato të “Adex Casino”.
Kontrollet në banesën e Aleksandër Shullës zbuluan një krëhër metalik ngjyrë bronxi me 5 fishekë, të paplasur të kalibrit 7.62 mm, një çantë dore ngjyrë të zezë brenda të cilës u gjetën 3 krehër, të mbushur secili me nga 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”.
Shulla i cili ka mbajtur detyrën e kreut të SHISH-it në Berat deri në nëntor të vitit 2023 deklaroi se kishte harruar të dorëzonte municionin e gjetur në banesë pavarësisht se kishte dorëzuar armatimin tjetër që dispononte. Ai sqaroi se, fishekët e kalibrit 7.62 janë fishek të armëve të vjetra që i ka gjetur të godina e vjetër e ShIK-ut dhe i ka marrë si suvenir dhe i ka harruar në banesë.
Por nga verifikimet e kryera nga prokuroria rezultoi se armatimet ishin kthyer dhe kjo provohej edhe nga fletëhyrja që ndodhet në institucion. Ndërkohë që nga verifikimet e kryera rezultoi se, dy nga materialet e ndodhura në Usb-në me emërtimin “Usb drive” janë të klasifikuara në nivelin “sekret” dhe administrohen në SHISH në kopje të vetme. Kopjimi ose shumëfishimi i tyre është i ndaluar dhe në kundërshtim me punën e SHISH.
Në përfundim të hetimeve paraprake, prokuroria thotë se ka prova të mjaftueshme se Shulla ka kopjuar materiale të SHISH duke kryer shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar. Versus.al







