Startup-i i ri i inteligjencës artificiale, Thinking Machines Lab (TML), themeluar nga Mira Murati, ish-drejtoresha teknologjike e OpenAI, po tërheq vëmendje jo për produktet, por për pagat shumë të larta që u ofron inxhinierëve të saj.
Sipas të dhënave nga dosjet federale për viza H-1B, disa punonjës të TML paguhen deri në 500,000 dollarë në vit vetëm paga bazë, ndërsa të tjerë marrin rreth 450,000 dollarë. Këto shifra nuk përfshijnë bonuse apo aksione që mund të shtojnë shumë vlerë.
Të dhënat janë për tremujorin e parë të vitit 2025, para financimit prej 2 miliardë dollarësh, që e vlerëson kompaninë në 10 miliardë dollarë.
Murati ka luajtur rol kyç në zhvillimin e ChatGPT dhe ka qenë përkohësisht CEO e OpenAI në nëntor 2023. TML nuk ka lançuar ende produkte, por po ndërton një ekip elitë për të hyrë fort në tregun global të inteligjencës artificiale. /Versus.al/







