AKTUALITET /

Mjekë turq pa licensë dhe evazion fiskal 1 mln euro, sekuestrohen pasuritë e klinikës estetike "International Medicare"

Skandali me evazionin fiskal të kësaj klinike u zbulua pas një pagese prej 5200 eurosh të bërë nga një shtetas portugez i cili nuk kishte marrë shërbimin nga trupa mjekësore.

Shkruar nga Versus
Mjekë turq pa licensë dhe evazion fiskal 1 mln euro, sekuestrohen
Dy ortakët, Geriana Arapi dhe Bilal Kara

Tiranë- Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për sekuestrimin e pasurive të regjistruara nën emrin e klinikës së ndërhyrjeve estetike “International Medicare” e cila është pjesë e “Sante Plus Group”.

Klinika akuzohet për evazion fiskal që sipas llogaritjeve, i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 1 milionë eurosh për shkak se nuk lëshoheshin faturat për shërbime. Denoncimi për këtë klinikë u bë nga një shtetas portugez i cili pagoi 5200 euro për shërbime, por 3 mjekët që do të kryenin punën, u larguan. Pas kësaj kishte kërkuar kthimin e parave, por pa sukses.

Hetimet zbuluar se në këtë klinikë punonin turq të cilët nuk kishin licensë në vendin tonë për të ushtruar profesionin e tyre.

“Nisur nga faktet e parashtruara në kallëzimin e shtetasit C.S. dhe nga deklarimet e marra të punonjëseve, u provua se ky spital operonte me mandate dore dhe jo kupona tatimorë. Gjatë kontrollit u gjetën 1 milionë euro fatura jo tatimore, të padeklaruara, ndërsa dyshohet se si mjekë punonin persona kryesisht shtetas turq, të palicensuar si mjekë në Republikën e Shqipërisë. U mbajt procesverbal për kqyrjen e vendit të ngjarjes ku u gjetën dhe u fiksuan si provë materiale, në sallat kirurgjikale medikamente të ndryshme të skaduara, si dhe medikamente që ndalohet shitja dhe lejohen për përdorim vetëm në spitale private”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Po ashtu u zbulua se “Sante Plus” ka detyrime të lindura për mosdeklarim të pagës reale. Ky subjekt ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të punonjësve, si rrjedhim ka fshehur vlerën e saktë të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Kontrolli tatimor ka vlerësuar si tatim të padeklaruar nga shoqëria me efekt në TVSH shumën 12.826.573 Lekë. Po nga i njëjti kontroll rezultoi se ky subjekt duhet të lëshonte autofaturë për 11 fatura me vlerë 112.736.764 lekë, me një tatim të padeklaruar të TVSH në vlerën 22.547.353 lekë. Sipas këtij akti, subjektit ”Sante Plus” i kanë lindur detyrimet tatimore nga fshehja dhe mosdeklarimi i pagave për vitet 2018-2023 në vlerën 4.510.786 lekë, si dhe për tatim të padeklaruar me efekt TVSH-je në vlerën 35.373.926 lekë.

Të ardhurat përfituara nga pacientët, sipas prokurorisë fshiheshin nga klinika duke mos deklaruar faturat fiskale, gjë që ka shkaktuar dëm ekonomik të interesave të shtetit shqiptar. Klinika është bllokuar totalisht nga aktiviteti i saj mjekësor ndërsa është arrestuar administrator Edmond Zaja. Në kërkim për këtë rast janë shpallur dy bashkëaksionerët, shtetasi turk Bilal Kara dhe shqiptarja Geriana Arapi. Versus.al

Poll