AKTUALITET /

Mjeti përfundon në kolektor, drejtuesi 80-vjeçar shpëtohet falë ndërhyrjes së kalimtarëve dhe infermieres së huaj

Shkruar nga Versus
Mjeti përfundon në kolektor, drejtuesi 80-vjeçar shpëtohet
Momente pas aksidentit

Një aksident i rëndë ka ndodhur në afërsi të fshatit Bistricë, në aksin rrugor Sarandë-Gjirokastër, ku një automjet i markës “Opel” me targë AA459GJ ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në kolektorin e ujit.

Sipas raportimeve, drejtuesi i mjetit, 80-vjeçari Vasillaq Gjini, ka rënë në kolektor dhe nuk ka dhënë shenja jete fillimisht. Fatmirësisht, ndërhyrja e shpejtë dhe e guximshme e kalimtarit Vasil Koto Xhamiha, i cili ka ofruar ndihmë, duke i bërë frymëmarrje artificiale, ka qenë vendimtare.

Në ndihmë i ka ardhur edhe një shtetase e huaj, infermiere, që ndodhej në vendngjarje dhe ka dhënë ndihmën e parë.

Menjëherë pas ngjarjes, 80-vjeçari është dërguar në Spitalin e Sarandës, ku mjekët konfirmojnë se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithëse ka marrë plagë nga rënia.

Nga analizat e kryera rezultoi se drejtuesi i mjetit drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit, një faktor që mund të ketë kontribuar në humbjen e kontrollit dhe shkaktimin e aksidentit.

Autoritetet po vijojnë hetimet për shkaqet e plota të ngjarjes, ndërsa u bën apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes maksimal në rrugë, sidomos në këtë periudhë me kushte të vështira./ Versus.al

Poll