GJKKO shpall fajtor dhe dënon me 2 vite e 4 muaj burgim (me gjykim të shkurtuar) ish-shefin e Antidrogës së Durrësit, Gazmir Preçi si dhe ndalohet për pesë vitë të mos ushtorjë funksione publike.
Preçi u deklarua fajtor nga GJKKO për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Me gjykim të shkurtuar ai do të vuajë vetëm 2 vite e 4 muaj burgim nga 3 vite e 6 muaj që u dënua fillimisht.
Kujtojmë se Gazmir Preçi kërcënoi me vënie gjobe pronarin e një lokali nate në afërsi të Urës së Dajlanit në Durrës, duke i kërkuar 20 mijë euro.
NJOFTIMI
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 170, të
vitit 2024, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të të pandehurit Gazmir Preçi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni
259 paragrafi 2 i Kodit Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 50, datë 14.07.2025 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Gazmir Preçi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga
neni 259 paragrafi i 2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet e 6 muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Gazmir Preçi me 2 vjet e 4 muaj burgim.
Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Gazmir Preçi për 5 (pesë) vjet.
Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin Gazmir Preçi do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit në flagrancë të tij, datë 15.08.2024 dhe do të kryhet në një nga
Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
2. Në lidhje me provat materiale në bazë të nenit 36 të Kodit Penal dhe nenit 190 të Kodit të Procedurës Penale,
– Një DVD që shoqëron raportin përmbledhës i mbikëqyrjes së fshehtë, datë 16.08.2024; një CD që shoqëron raportin mbi transkiptimin e bisedave audio; 2 CD që mbajnë pamjet filmike të sekuestruara pranë subjektit tregtar “Auto 555” dhe supermarket “Aldi”, si dhe 8 DVD që përmbajnë pamjet filmike të
sekuestruara pranë DVP Durrës, të mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor.
– 2 aparate telefonike të shtetasit Gazmir Preçi, telefon i markës “Iphone 15” me ngjyrë gri me kapak transparent me nr. Sim të operatorit telefonik “Vodafone”, mbyllur me kod dhe telefon i markës “Iphone 11” me ngjyrë të zezë, me kapak
me ngjyrë portokalli me logo si të një katrori, me nr. Karte sim të operatorit telefonik “Vodafone”, i mbyllur me kod, t’i kthehen shtetasit Gazmir Preçi, konform nenit 190/1 gërma “ç” të K.Pr.Penale.
3. Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak në shumën 2207.11 lekë, të seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, sipas procesverbalit
bashkëlidhur këtij vendimi, i ngarkohet të pandehurit.
4. Kundër këtij vendimi lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
HETIMI NË VITIN 2021
4 vjet më parë, Gazmir Preçi, i cili atëherë mbante postin e shefit të Krimeve në Policinë e Mallakastrës u arrestua së bashku me 4 zyrtarë të tjerë të Policisë së Fierit, në kuadër të një hetimi për lejimin e kultivimit të kanabisit në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës. Preçi u vu në hetim për “Shpërdorim detyre” për lejimin e kultivimit të kanabisit.
Sipas dosjes, në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës, u evidentuan disa parcela të kultivuara me bimë narkotike. Në dosjen që u referua atëherë punonjësit e policisë ishin në hetim për shpërdorim detyre gjatë periudhës qershor-shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike. Ndaj tij dhe 2 punonjësve të tjerë të policisë gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë “detyrim me paraqitje”.
E pikërisht dyshimet dhe problematikat në Mallakastër jo shumë vite më parë, nuk ndikuan që Gazmir Preçi të ngjitej në karrierë, duke “u shpërblyer” me post si shef i Antidrogës në Durrës. Hetimet u bënë në bashkëpunim në me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore fill pas denoncimit të pronarit të lokalit “Night”, një klub nate te Ura e Dajlanit.
Sipas denoncimit të tij, shefi i Antidrogës e kërcënonte se do i mbyllte biznesin me pretendimin se kishte të punësuar disa persona të pasiguruar, çka nuk është në kompetencën e tij për ta kontrolluar. Shuma prej 10 mijë eurosh u mor në një takim nën vëzhgimin e hetuesve mes pronarit të lokalit dhe Gazmir Preçit në një lagje të Tiranës, i cili ra në grackën e kolegëve sapo mori një pjesë të parave. Kryekomisari akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”.
Në një reagim ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, tha se operacioni ishte mesazhi është i qartë për policët që hiqen si padronë të qytetarëve dhe bizneseve. Ata do marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor!







