Ish-zëvendësministri i Brendshëm u shkarkua nga detyra pas një denoncimi për pirje duhani në një ambient të mbyllur një vendim i marrë nga ministrja e Brendshme Albana Koçiu, pas një shqetësimi të ardhur nga një qytetar.
Por a i trajton ministrja me të njëjtin seriozitet të gjitha shqetësimet që i vijnë?
Gazetari Osman Stafa ka publikuar denoncimin e një qytetar ku thuhet se i afërmi i tij, pas kryerjes së një biopsie në Shërbimin e Anatomi-Patologjisë në QSUT, në kohën kur Koçiu ishte ministre e shendetësisë është udhëzuar nga shefja e shërbimit, Majlinda Ikonomi që analizën ta përsëriste në një laborator privat, “LDM”. Sipas tij, për këtë shërbim ka paguar 250 euro.
Qytetari thotë se disponon të dy rezultatet e biopsisë njëra e kryer në shtet dhe tjetra në privat ku ajo e dytë, sipas tij, është pa vula, pa emra mjekësh dhe pa datë.
Po skandali shtrihet dhe më tej. Laboratori ku do të bëheshin analizat ishte në pronësi të Majlinda Ikonomit.
A nuk i bëri përshtypje ish-Ministres së Shëndetësisë Albana Koçiu ky fakt, që një qytetar denoncon raste të tilla të dyshimta në sistemin publik?
Pse nuk i vlerëson njësoj shqetësimet e qytetarëve znj. Koçiu?
Janë këto pyetjet që ngre gazetari, në kërkim të transparencës dhe përgjegjshmërisë nga institucionet që duhet të mbrojnë qytetarin./Versus.al
