Lëvizjet e 35-vjeçarit, autor i dyshuar i vrasjes së profesorit polak Przemysław në Shën Parashke, pak çaste para aktit kriminal, janë regjistruar nga një kamerë sigurie, pamjet e së cilës janë publikuar nga protothema.gr. Në video, shihet një burrë që hap bagazhin e makinës, merr një çantë shpine dhe largohet me nxitim, ndërsa viktima e ndjek nga pas me një batanije blu mbi kokë – një detaj që ka tronditur opinionin publik.
Në dëshminë e tij, 35-vjeçari rrëfen me qetësi planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes, duke implikuar drejtpërdrejt dy shtetas shqiptarë, të cilët tani janë nën arrest për bashkëpunim në krim.
“Një muaj e gjysmë më parë vendosa ta eliminoja Przemysław-in. Ishte një torturë e vazhdueshme, dhe mendova se vetëm kështu do të mbaronte. Shkova në Omonia dhe bleva një pistoletë me disa plumba nga një burrë. Pastaj i thashë Nadias se do të shkoja për pushime në Nafplio, por në fakt isha duke planifikuar çdo lëvizje,” – deklaron ai.
Në rrëfimin e mëtejshëm, autori përshkruan takimin me dy shqiptarët, të cilët ai i prezanton si bashkëpunëtorë në skemën e krimit.
“Në Tolo të Nafplio u takova me një mik bullgar dhe më prezantoi me dy shqiptarë. Ata më dhanë armën në mëngjes. U futëm të gjithë në një Porsche dhe unë u mbulova me një batanije që të mos më shihnin, pastaj u nisëm për në Haidari, aty ku e dija se Przemysław, fëmijët dhe Nadia po takonin psikologen.”
Sipas dëshmisë së tij, shqiptarët e shoqëruan gjatë gjithë itinerarit, madje ishin prezentë edhe në momentin kur ndodhi vrasja. Megjithatë, autori thekson se ata tentuan ta ndalonin, por ai nuk i dëgjoi.
“Rreth orës 16:00 pashë Przemysław-in duke ecur drejt shtëpisë. Në atë moment nxora armën nga çanta dhe dola nga makina. F. dhe A., dy shqiptarët, më panë dhe më thanë të mos bëja asgjë. Por unë nuk i dëgjova. U afrova, i rashë disa herë me armë. Nuk mbaj mend sa herë e qëllova.”
Autori rrëfen gjithashtu se informacionin për lëvizjet e viktimës e kishte marrë nga djali i tij, pas një bisede telefonike, dhe më pas kishin ndjekur familjen deri në shtëpinë e tyre në rrugën “Irini” në Agia Paraskevi, ku ndodhi edhe vrasja.
Roli i dy shqiptarëve, të identifikuar me inicialet F. dhe A., është aktualisht nën hetim të hollësishëm nga autoritetet greke. Edhe pse në dëshminë e tij ata paraqiten si bashkëpunëtorë logjistikë, që ofruan armën dhe ndihmuan me transportin, mbetet për t'u vërtetuar nëse ata kishin dijeni të plotë për planin e vrasjes apo nëse kanë bashkëpunuar në ndonjë mënyrë më të drejtpërdrejtë. / Versus







