Një tjetër emër i përmendur në dosjen hetimore ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja është edhe Edmond Koçi, ish-anëtari i bandës së Durrësit, i njohur si “Mond Çekiçi” i ekzekutuar në mars të vitit 2021.
Koçi shfaqet në komunikimet mes personazheve të botës së krimit në aplikacionin “Sky Ecc” ku flitej për ta futur Jurgis Çyrbjan në listën e sigurt të kandidatëve për deputetë në qarkun e Durrësit.
Ekzekutimi i Koçit u krye më 20 mars nga dy persona në lagjen nr.16 pranë një lokali të cilin viktima e frekuentonte kohëve të fundit. Autorët kanë qenë dy, të kamufluar me veshje ushtarake dhe të maskuar me shall e kapuç. Makina e autorëve një tip “Benz ” i zi kishte bllokuar rrugën në pritje të arritjes së makinës me të cilën udhëtonte Çekiçi, të cilin e kanë ekzekutuar me breshëri të shtënash, një skenë që ka zgjatur rreth 20-30 sekonda.
Anëtar i grupit kriminal dhe ish- i dënuar
“Mond Çekiçi”, konsiderohej nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezultonte të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë.
“Mond Çekiçi”, konsiderohej nga Policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezultonte të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe kundërshtimit të forcave të Policisë.
Në muajin maj 2009, Edmond Koçi u dënua me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve”.
Në një raport të Ministrisë së Brendshme thuhej se “Mond Çekiçi është pjesë shoqërore me Lulzim Berisha ‘Luli’, Emiljano Shullazi ‘Mili’, Plarent Dervishaj ‘Lenti’, Marjel Fierza dhe persona të tjerë.
Mond Çekiçi është arrestuar herën e fundit në 24 shtator 2020 nga Policia e Durrësit për armëmbajtje pa leje, por është liruar në datën 8 tetor 2020.
Ai u lirua me pretekstin e situatës së pandemisë, pasi paraqiti dokumentacion sikur ishte i prekur nga Covid-19 dhe për këtë arsye duhej të merrte mjekime dhe jo të izolohej me të burgosurit e tjerë.
Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit, Gjykata e Durrësit vendosi si masë sigurie për 40- vjeçarin “Arrest shtëpie”, ndërkohë që akuzohej për armëmbajtje pa leje. Mirëpo, Koçi nuk respektoi as vendimin e Gjykatës, pasi qarkullonte fare lirshëm nëpër qytet deri në momentin e atentatit. Versus.al








