
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli është paraqitur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) së bashku me avokatin e tij Andi Skënderi.
Pasi qëndroi vetëm për pak minuta, Gjyli doli nga ambientet e prokurorisë, por nuk pranoi të jepte asnjë deklaratë për mediat. Burime bëjnë me dije se u thirr për tunelin e Llogarasë për të cilin të premten u mor e pandehur edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku. Prokuroria e Posaçme do ti komunikojë akuzë edhe ish kreut të ARRSH Evis Berberi, drejtorit të KESH Erald Elezit si dhe dy shtetasve të tjerë, në cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Kjo është e disata herë që kreu i ARRSH paraqitet pranë organit të akuzës ku më 13 maj iu komunikua se është marrë i pandehur nën akuzë për shkeljen e barazisë në tendera dhe për shpërdorim detyre.
Gentian Gjyli u emërua drejtor i ARRSH më 28 mars 2024, një javë pas arrestimit nga SPAK të ish-drejtorit Evis Berberi, më 14 mars 2024. Ai është thirrur edhe më herët në SPAK ku ka dëshmuar mbi procedurat e ndjekura në tenderët e rrugëve, gjatë kohës që ai ishte numri 2 i ARRSH-së dhe drejtor Evis Berberi, i cili tashmë është nën masën e sigurisë arrest me burg. Versus.al
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
