
Ish-shefi i qarkullimit rrugor, Roven Zeka ka kërkuar ndryshimin e masës së arresit me burg në GJKKO. Shkak është bërë situata e tij shëndetësore pasi mësohet se Zeka është rrëzuar në paraburgim dhe ka dëmtuar legenin.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës së tij do të mbahet në orën 13:00, ndërsa Zeka po hetohet nga SPAK për korrupsion lidhur me procedurat e kryera për një aksident ku dyshohet se mori ryshfet së bashku me vartësin e tij oficerin Edison Tabakun.
Ndërsa shefi i hetimit të aksidenteve Sokol Novaku u la më herët nga gjykata në arrest shtëpie për shkak të rrethanave familjare.
Ish-shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës Roven Zeka, Sokol Novaku ish-shef i hetimit të aksidenteve dhe oficeri i policisë rrugore Edison Tabaku, ranë në pranga më 19 prill në kuadër të një hetimit të SPAK. Ata akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se kanë marrë 2 mijë euro ryshfet për manipulimin e provave për një aksident rrugor të shkaktuar nga bashkëshortja e biznesmenit Erges Vrioni. Ky i fundit ishte subjekt i një hetimi të SPAK dhe në këtë mënyrë Prokuroria e Posaçme teksa i përgjonte telefonin, ra në gjurmët e krimit të zyrtarëve të lartë. Versus.al







