AKTUALITET /

Nën hetim për sulmin kibernetik, ish-kreu i Burgjeve Agim Ismaili del nga SPAK

Sipas mediave, Agim Ismailit i është komunikuar zyrtarisht mbyllja e hetimeve, e njëjta procedurë që i është komunikuar më parë edhe dy personave të tjerë të arrestuar në këtë çështje: ish-punonjësit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Arnold Rrokaj, dhe ish-zyrtarit të burgut të Vlorës, Zambak Gjoni.

Shkruar nga Versus
Nën hetim për sulmin kibernetik, ish-kreu i Burgjeve Agim Ismaili del
Agim Ismaili del nga SPAK

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, është paraqitur këtë të martë, më 23 dhjetor, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku ka qëndruar për rreth dy orë. Ai ndodhet nën hetim lidhur me sulmin kibernetik të kryer më 12 mars ndaj sistemit informatik të SPAK.

Sipas mediave, Agim Ismailit i është komunikuar zyrtarisht mbyllja e hetimeve, e njëjta procedurë që i është komunikuar më parë edhe dy personave të tjerë të arrestuar në këtë çështje: ish-punonjësit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Arnold Rrokaj, dhe ish-zyrtarit të burgut të Vlorës, Zambak Gjoni.

Hetimet e SPAK tregojnë se të përfshirët dyshohet se kanë tentuar të ndërhyjnë në kompjuterët e tre prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, për të marrë të dhëna sensitive. Sipas Prokurorisë, tentativa ka dështuar dhe hakerët nuk kanë arritur të depërtojnë në databazat kryesore të institucionit.

Megjithatë, SPAK sqaron se të arrestuarit dyshohet se kanë mundur të sigurojnë disa të dhëna të pjesshme, të cilat më pas janë shpërndarë te persona të tjerë, përfshirë dy gazetarë, Agim Ismailin dhe Dritan Palnikajn, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.

Hetimet janë fokusuar në rolin konkret të secilit të përfshirë, mënyrën e sigurimit të informacionit dhe qëllimin e përdorimit të tij. SPAK thekson se ky rast paraqet një kërcënim serioz ndaj sigurisë së institucioneve të drejtësisë dhe nënvizon se mbrojtja e sistemeve informatike dhe e pavarësisë së prokurorëve mbetet prioritet absolut./Versus.al

Poll