Një histori e mirëfilltë torture psikologjike është rasti i zbardhur së fundmi me policin fajdexhi të Elbasanit, Edison Pemën i cili u arrestua për dhënien e parave me fajde dhe shantazhin e shqiptarit nga Kosova B.S.
E gjithë historia nis pasi B.S në afërsi të Portit të Durrësit i kishte marrë borxh 7 mijë euro policit të Elbsanit, Edison Pema në maj të 2024-ës me afat 1 javor. Sapo afati mbaroi, të dy u takuan sërish dhe efektivi i policisë i tha se për shumën që i kishte marrë borxh, kishte ecur kamata dhe se tani duhej të paguante 10 mijë euro me argumentin se edhe ai i kishte marrë paratë nga persona të tjerë.
Shifra e borxhit u rrit derisa shkoi në plot 73 mijë euro. Versus.al mëson se oficeri Edison Pema e ka kontaktuar vazhdimisht shqiptarin nga Kosova duke i kujtuar se për çdo vonesë kamata vetëm sa rritej, ndërkohë që as kërcënimet nuk mungonin sa herë që kallëzuesi B.S refuzonte të vijonte të paguante kamat vonesën.
“mos e merr veten në qafë duke shkuar në varr sepse ha plumbin në kokë” dhe “... e di se kush jam unë, kam paguar lekët për ty, kam shkuar tek njerëz të ndryshëm për të marrë paratë, të cilët janë me rrezikshëmri të lartë dhe po nuk solle lekët unë të vras, të fus plumbin”- thuhet në dosjen në ngarkim të oficerit fajdexhi.
Në episodet e zbardhura në dosje ku flitet për vende ku kallëzuesi dhe oficeri ishin takuar për të bërë pagesën e kamat vonesës, totali i shumës së paguar i kalon 41 mijë euro ndërsa gjatë kësaj periudhe, shqiptari nga Kosova i cili jepte makina me qira ka lënë peng disa automjete Pemës.
Por skandali është edhe më i rëndë se kaq pasi në dosje përmendet se shqiptari nga Kosova ka deklaruar se në dijeni të kësaj torture psikologjike ndaj tij ka qenë edhe zëvendës drejtori i policisë vendore të Elbasanit Sadik Kateshi i cili është emëruar në këtë post në shkurt të këtij viti me firmë të kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Madje kallëzuesi ka deklaruar se Kateshi e ka kërcënuar se nëse nuk i paguante policit Edison pema shumën që ky i fundit kërkonte, atëherë mjeti tip “Benz” që kishte lënë peng, nuk do t’i kthehej. Për gjithë këtë ngjarje, mësohet se prokuroria ka kryer edhe përgjim ambiental, por përveç arrestimit të policit, nuk ka një reagim konkret mbi zv.drejtorin e policisë së Elbasanit.
Në dosje përmendet gjithashtu se kallëzuesi i kishte kërkuar ndihmë Edison Pemës për të trafikuar drejt Kosovës sasi prej 17 kg kanabis, por për arsye ende të paqarta kjo gjë nuk u krye. Versus.al







