AKTUALITET /

Nga lirimi me kusht i të dënuarve përjetë, tek dënimi me 6 vite burg për përndjekësit në rrjete sociale, çfarë parashikon drafti i kodit të ri penal

Shkruar nga Versus

Nga lirimi me kusht i të dënuarve përjetë, tek dënimi

Ministria e Drejtësisë prezantoi dje draftin për kodin e ri penal që është hartuar nga një grup ekspertësh të kryesuar nga drejtori i shkollës së magjistraturës, Arben Rakipi. Drafti ende nuk është përfundimtar, pasi është hedhur për konsultim publik dhe vetëm pasi të marrë aprovimin në Bruksel, do të kalohet për votim në Kuvend.

Por menjëherë pas publikimit të disa ndryshimeve të nevojshme për shkak të kohës ku jetojmë dhe sidave të reja që na ka sjellë zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë pati reagime të shumta në rrjete sociale.

Në kodin e ri penal janë përfshirë disa nene të reja që lidhen me krimet kibernetike apo përndjekjen online. Vepra të tilla penale do të jenë të dënueshme me deri në 6 vite burg në raste të caktuara kur shpërndahen materiale me foto apo video të të shantazhuarit në rrjete sociale.

Neni 765         

Përndjekja online

a) ndërmarrja, në mënyrë të vazhdueshme, të qëndrueshme, e sjelljeve kërcënuese ose frikësuese ndaj një personi tjetër nëpërmjet teknologjive të informacionit dhe komunikimit, të tilla që t'i bëjnë ata të kenë frikë serioze/konsiderueshme për sigurinë e tyre ose të personave që kanë në ngarkim;

b) vendosja e një personi tjetër nën mbikëqyrje të vazhdueshme duke përdorur teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, pa pëlqimin e tij ose pa një autorizim ligjor për këtë qëllim, për të gjurmuar ose monitoruar lëvizjet dhe veprimtarinë e tij;

c) bërja i aksesueshëm për shumë përdorues fundorë, nëpërmjet teknologjive të informacionit dhe komunikimit, të materialeve që përmbajnë të dhëna personale të një personi tjetër pa pëlqimin e tij, me qëllim që t'i nxisë përdoruesit fundore t’i shkaktojnë dëm fizik ose dëm të konsiderueshëm psikologjik këtij personi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.

Gjithashtu në rastin kur fotoja e një personi është përdorur nga një tjetër individ duke u shtirur si ai, do të ketë dënime deri në 3 vite burg.

“Përdorimi i imazhit të një personi për të bërë njoftime ose për të hapur profile të rreme në rrjetet sociale, faqet e kontaktit ose në çdo mjet tjetër komunikimi publik, pa pëlqimin e mbajtësit të imazhit, kur i shkakton këtij të fundit gjendje ngacmimi, përndjekjeje ose poshtërimi, dënohet me gjobe ose me burgim deri ne tre vjet”- thuhet më tej në nenin 767.

Lirimi me kusht i të dënuarve me burg të përjetshëm

Kjo ishte një ndër pikat që solli më së shumti diskutime dhe vetë Arben Rakipi u shpreh gjatë konferencës ku ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të pushtetit gjyqësor, se kishte patur debate të shumta lidhur me këtë propozim.

Sipas draftit, parashikohet mundësia që i dënuari me burg përjetë të lirohet me kusht, pork jo mund të ndodhë vetëm pas një kohe të gjatë të kaluar në qeli dhe në rrethana shumë të veçanta.

Kushtet kryesore për lirimin me kusht janë: Duhet të ketë vuajtur të paktën 35 vjet burg; duhet të ketë marrë pjesë në programe trajtimi dhe të ketë treguar pendesë të sinqertë e gatishmëri për t’u integruar në shoqëri; duhet të ketë shkëputur lidhjet me krimin, të ketë kërkuar të riparojë dëmet dhe të ketë mbajtur një qëndrim të ndjeshëm ndaj viktimave.

Kërkesa duhet të paraqitet nga vetë i dënuari dhe më pas ajo të shqyrtohet nga gjykata e vendit ku ndodhet duke vuajtur dënimin. Por ekziston mundësia që edhe pas lirimit me kusht, në rast të shkeljeve të kryera prej tij, gjykata të revokojë vendimin dhe ta kthejë në burg të dënuarin.

Krimet kibernetike

Tjetër risi në draftin për kodin e ri penal janë krimet kibernetike për të cilat është parashikuar dënimi me deri në 3 vite burg. Në rast se dikush sulmon kibernetikisht një tjetër person duke i shkaktuar shqetësime emocionale duke i keqpërdorur të dhënat personale, do të dënohet deri në 4 vite burg.

“Një person, i cili pa të drejtë fillon çdo komunikim elektronik, me qëllim për të detyruar, frikësuar, ngacmuar ose shkaktuar shqetësime të konsiderueshme emocionale te një person tjetër, duke përdorur një sistem kompjuterik, kryen keqpërdorim të të dhënave personale, bën që persona të tjerë t’iu kontaktojnë, kërcënon me dëmtim të jetës, integritetit fizik, shëndetit ose lirisë së tij, të një të afërmi të tij ose të një personi tjetër të afërt, shpërndan një imazh të këtij personi, një prej të afërmve të tyre ose një personi tjetër të afërt me ta ose, e bën atë të aksesueshme për publikun, shpërndan materiale me përmbajtje që e bën personin të neveritshëm ose degradues në opinionin publik, nën pretendimin e autorësisë së personit ose, të bëhet i aksesueshëm për publikun, ose kryen sjellje të tjera të rënda, të përsëritur dhe armiqësore, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet”, thuhet në pikën e parë të nenit.

Surrogacia

Një tjetër pikë është edhe surrogacia e cila njihet nga ligji shqiptar si “porosia për të lindur fëmijë”. Për këtë akt, drafti i kodit të ri penal parashikon dënimin e ndërmjetësimit për qëllime fitimi, jashtë kushteve të ligjshme dhe në mënyrë të përsëritur me gjobë ose 3 vite burg. Nëse një vepër e tillë penale kryhet nga një punonjës i shërbimit shëndetësor, dënimi rritet me një të tretën.

Veprat penale kundër martesës

Kushdo që lidh 2 ose më shumë martesa në të njëjtën kohë, do të rrezikojë të dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vite burg. Dënimi shtohet në rast se bigamia vazhdon edhe pas dënimit të parë.

Bashkëjetesa e një personi të rritur me një të mitur 14-16 vjeç për qëllime martesore dënohet me 4-8 vjet burg. Bashkëjetesa me të mitur 16-18 vjeç dënohet me 2-5 vjet burg.

Prindi, kujdestari ose personi që ushtron autoritet prindëror dhe nxit bashkëjetesën me të miturin 14-18 vjeç dënohet me 5-10 vjet burg. Nëse bashkëjetesa kryhet me person nën 14 vjeç, dënimi është 8-16 vjet burg.

Në rast të përfitimit pasuror nga kjo vepër penale, dënimet në secilin rast shtohen deri në gjysmën e dënimit fillestar.

Drafti është shtruar për konsultim publik dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ftoi edhe ekspertët e opozitës që të japin sugjerimet e tyre për të patur një kod të ri penal sa më të drejtë që adreson çdo shqetësim të qytetarëve. Versus.al

Poll