
Prostitucioni në Shqipëri është i ndaluar me ligj, por realiteti tregon se ndalimi formal nuk është i mjaftueshëm për të ndaluar tregun seksual komercial, i cili po rritet dukshëm dhe po merr forma gjithnjë e më të sofistikuara.
Sipas lajmeve të fundit, vetëm në Tiranë është një numër i madh vajzash që ofrojnë shërbime seksuale, me shifra që arrijnë rreth 1,500 persona, ndërsa qytete të tjera si Durrësi regjistrojnë rreth 200–250 raste të dyshuara.
Fenomeni intensifikohet veçanërisht gjatë sezonit turistik dhe veror, duke treguar një rritje të dukshme të aktivitetit.
Goditjet e fundit nga prokuroria dhe policia zbulojnë se rrjetet e prostitucionit janë të organizuara dhe shpesh ndërkombëtare.
Në tetor 2025, një grup që trafikon vajza nga Amerika Latine dhe Azia Qendrore drejt Shqipërisë u zbulua dhe 48 gra u proceduan penalisht, ndërsa krerët e rrjetit u arrestuan jashtë vendit.
Në raste të tjera, rrjete të ngjashme janë goditur në Tiranë dhe Elbasan, duke përfshirë persona të huaj dhe disa shqiptarë, ku përfshihen edhe tutorë që shfrytëzojnë vajza të reja për prostitucion.
Përveç rrjeteve të organizuara, fenomeni po zhvillohet edhe online.
Faqet si 'eurogirlescort' reklamojnë “punonjëse seksi” në çdo qytet të Shqipërisë, me profile të verifikuara, foto dhe mënyra kontakti, duke krijuar një treg virtual të hapur, megjithëse ligjërisht i ndaluar.

Kjo tregon se, pavarësisht ndalimit me ligj, shërbimet seksuale janë bërë të aksesueshme përmes internetit, shpesh nën maskën e “shërbimeve elitare” dhe “rezervimeve diskrete”.
Rritja e dukshme e fenomenit dhe aktiviteti online nënvizojnë një realitet shqetësues: ndalimi ligjor nuk po mjafton për të kontrolluar tregun e prostitucionit.
Autoritetet përballen me sfidën e trefishtë të zbatimit të ligjit, goditjes së rrjeteve kriminale dhe monitorimit të platformave online, të cilat shpesh përdoren për të evituar kontrollin shtetëror.
Prostitucioni në Shqipëri nuk është më thjesht një problem lokal; ai është pjesë e skemave më të gjera kriminale me përfshirje ndërkombëtare dhe aktivitet të dukshëm në internet, duke sfiduar ligjin dhe duke rritur rreziqet për viktimat e mundshme të shfrytëzimit dhe trafikimit seksual./Versus.al
