Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar me një mesazh prekës për ndarjen nga jeta të Artan Lames, të cilin e cilëson si një figurë të rrallë në shoqërinë shqiptare, një zyrtar model dhe mbi të gjitha një dashnor të pasionuar të historisë.
“Iku sot nga kjo botë në moshën 58-vjeçare. Iku kaq i ri, tamam atëherë kur ishte duke notuar në pasionin e tij kryesor, ngritjen e një muzeu për medaljet dhe flamujt, pjesë e koleksionit të tij të rrallë e mahnitës”, shkruan Fevziu.
Në fjalët e tij, gazetari nënvizon se humbja e Lames është jo vetëm një tronditje për miqtë dhe familjarët, por edhe një humbje për Shqipërinë.
“Kam kaq shumë për të thënë për të, por në këtë moment të parë shokues, mund të them vetëm kaq. U prehsh në paqe Artan. Familja humbi njeriun e dashur, ne mikun, por Shqipëria humbi një nga dashnorët e fundit të historisë dhe shkëlqimit të saj”, përfundon ai.
Artan Lame u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare në Gjermani, pas një ndërhyrjeje të vështirë në zemër. Ai ishte i njohur si drejtues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, por edhe si një koleksionist dhe studiues i pasionuar i historisë shqiptare. Versus.al







