
Viktor Ruçi, i dyshuar si një nga personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë në Gjashtë të Sarandës, ku humbi jetën biznesmeni Rexhep Ismaili dhe u plagos Kostandin Vogli, ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor, duke treguar me detaje dinamikën e asaj dite.
Sipas tij, ngjarja ka nisur nga një konflikt i hershëm familjar dhe financiar mes bashkëshortes së tij dhe Kostandin Voglit, i cili është nipi i saj, për një shumë parash të papërfunduara pas punës në një restorant në Krorez.
Ruçi thotë se ka tentuar të sqarojë personalisht situatën me Voglin, por ky i fundit ka refuzuar çdo komunikim.

DËSHMIA E VIKTOR RUÇIT
Ai ka deklaruar se më 07.05.2026 ka qenë në një lokal pranë karburantit në Gjashtë, së bashku me disa persona, përfshirë edhe Rexhep Ismaili.
“Pashë makinën e Kostandinit dhe u afrova për të sqaruar situatën. U futa në makinë nga ana e pasagjerit dhe i thashë që dua të flasim, por ai më kërkoi të dilja dhe nuk pranoi asnjë sqarim,” ka deklaruar Ruçi.
Sipas tij, ai ka tentuar sërish ta ftojë për një kafe, por situata nuk është zgjidhur.
Ruçi thotë në dëshmi se pas rreth një ore në vendngjarje kanë mbërritur dy automjete dhe situata është përshkallëzuar.
“Shtetasit që dolën nga makinat kishin shkopinj dhe më goditën. Unë jam mbrojtur dhe jam futur në brendësi të lokalit,” ka deklaruar ai.
Në këtë moment, sipas tij, është shfaqur edhe një person i tretë i armatosur.
“Pashë një person me pistoletë në dorë që ma drejtoi nga një distancë rreth tre metrash. Nuk e njoha,” ka thënë Ruçi.
Ai shton se menjëherë pas kësaj kanë nisur të shtënat me armë.
Sipas dëshmisë, Ruçi është futur në tualet dhe ka telefonuar djalin e tij duke kërkuar ndihmë nga policia.
“Më pas dëgjova krisma dhe dikush më tha që ishte qëlluar Rexhepi,” ka rrëfyer ai.
Ai thotë se ka dalë jashtë dhe ka parë Rexhep Ismaili të shtrirë në tokë, ndërsa është transportuar me makinë drejt spitalit. Ruçi shton se më pas është larguar, është kthyer në banesë dhe më vonë është paraqitur për të dhënë dëshmi në polici.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes në Gjashtë të Sarandës, ku një konflikt i nisur si përplasje personale dyshohet se ka përfunduar në një atentat me armë zjarri me pasojë vdekjen e Rexhep Ismaili dhe plagosjen e një tjetër personi.

