
Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka reaguar me forcë ndaj një incidenti të ndodhur dy ditë më parë në sallën e Gjykatës së Posaçme, ku gjatë një seance për çështjen “Plumbi i Artë” u shënua një përplasje e ashpër verbale mes prokurorit të SPAK, Behar Dibra, dhe avokatit Gentjan Rumano, mbrojtës i njërit prej të pandehurve.
Gjatë debatit, prokurori Dibra është shprehur me fjalë ofenduese ndaj avokatit, duke thënë: “A mund ta ndërprisni se nuk do të dëgjojmë idiotësirat e këtij idioti?”, teksa Rumano insistonte në kërkesën për përjashtimin e trupës gjykuese. Si reagim, avokati u largua nga salla, ndërsa gjyqtarët kërkuan vetëpërmbajtje nga palët.
Në një deklaratë zyrtare, Dhoma e Avokatisë shpreh shqetësimin për gjuhën e përdorur nga përfaqësuesi i organit të akuzës, duke e cilësuar atë fyese, denigruese dhe në kundërshtim të hapur me etikën profesionale dhe normat e një procesi të drejtë ligjor.
Sipas Dhomës, sulmet verbale ndaj një avokati që kryen detyrën e tij përbëjnë jo vetëm një sulm personal dhe profesional, por edhe një shkelje të rëndë të parimeve të barazisë në procesin gjyqësor. Më tej, në deklaratë vihet në dukje se kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por pjesë e një sjelljeje të përsëritur që, për më tepër, ndodh shpesh në praninë e gjykatës, pa ndonjë reagim të duhur prej saj.
“Një model i tillë komunikimi joetik”, thuhet në deklaratë, “komprometon funksionimin e drejtësisë, cenon barazinë e palëve dhe dëmton besimin e publikut tek institucionet e reja të drejtësisë.”
Dhoma e Avokatisë, e drejtuar nga Maks Haxhia, i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë dhe të marrin masa konkrete ndaj kësaj sjelljeje, duke garantuar një proces gjyqësor të paanshëm, dinjitoz dhe në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Tiranë, 11.07.2025 - DEKLARATË PËR SHTYP DHOMA E AVOKATISË E SHQIPËRISË
Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë dënon gjuhën fyese ndaj avokatit në sallën e gjyqit gjatë procesit të quajtur “Plumbi i Artë” – AVOKATËT NUK INTIMIDOHEN
Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me incidentin e ndodhur pranë Gjykatës së Posacme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 10 korrik 2025, gjatë seancës gjyqësore të procedimit penal nr. 75/2022.
Ajo dënon me forcë gjuhën e papërshtatshme, fyese dhe denigruese të përdorur nga përfaqësuesi i organit të akuzës Prokuroria e Posaçme (SPAK), z. Behar DIBRA, ndaj avokatit Gentjan RUMANO, anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë. Fyerjet dhe denigrimi personal i një avokati në ushtrim të detyrës përbëjnë jo vetëm cënim të rëndë të dinjitetit profesional të tij, por edhe një shkelje flagrante të parimeve të procesit të rregullt ligjor dhe barazisë së palëve në një gjykim.
Mbi të gjitha përbën shkelje të drejtëpërdrejtë të Kodit të Etikës Profesionale të Prokurorëve që kanë të bëjnë me sjelljen profesionale dhe etike (neni 4), respektimi i të drejtave të palëve dhe pjesëmarrësve në proces (neni 7) si dhe marrëdhëniet korrekte me përfaqësuesit e mbrojtjes (neni 15). Duhet të bëhet e qartë për këdo se: Avokati, si garantues i të drejtave të qytetarëve dhe mbrojtës i ligjit, gëzonë mbrojtje të posaçme në ushtrimin e funksionit të tij, si një subjektë i barabartë dhe garantues në proçesin e dhënies së drejtësisë dhe për këtë duhet të trajtohet me respekt dhe barazi nga çdo Gjykatë në sistem. Fatkeqësisht, Dhoma konstakton se ky nuk është një qëndrim i izoluar, nga përfaqësuesit e akuzës, qoftë në proçesin në fjalë ashtu edhe në proçese të tjera. Këto raste, të përsëritura, për më tepër të bëra në prani dhe përpara trupit gjykues, reagimi i të cilëve lë shumë për të dëshiruar, tregojnë për një sjellje të qëndrueshme fyese dhe përçmuese ndaj përfaqësuesve të mbrojtjes dhe një model të qëndrueshëm komunikimi jo-etik, që cënon funksionimin e rregullt të drejtësisë, minon barazinë e palëve dhe dëmton imazhin institucional të prokurorisë por edhe të gjithë sistemit të “Drejtësisë së Re”, që nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet.
Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë sjell në vëmëndje se çdo ndërhyrje, apo sjellje, që pengon ushtrimin e lirë dhe të pavarur të profesionit të avokatit bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me standardet ndërkombëtare të përcaktuara në konventat Republika e Shqipërisë aderon, me përcaktimet në Kodin e Proccedurës Penale si dhe ligjin “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.
Çdo formë denigrimi apo fyerjeje përbën jo vetëm një cënim të dinjitetit individual të avokatit, por edhe një dëm të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë juridike dhe standardeve demokratike të një procesi të rregullt ligjor.
Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë dënon, me vendosmëri, çdo sjellje që bie në kundërshtim me parimet e barazisë së armëve, respektit reciprok dhe të drejtës për mbrojtje efektive, e për rrjedhojë ajo do të ndjekë me vëmendje të plotë zhvillimet përkatëse për këtë ngjarje dhe kërkon nga organet kompetente (Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë) të marrin në analizë me përgjegjësi rastin konkret. Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë shpreh solidaritet të plotë me kolegët e fyer dhe garanton të gjithë anëtarët e saj se do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të integritetit, pavarësisë dhe dinjitetit të profesionit të avokatit. Ajo do të monitorojë me përgjegjësi dhe në vazhdimësi ecurinë e proçesit jo vetëm në rastin konkret por edhe në raste të tjera që kanë të bëjnë me qëndrime të tilla fyese dhe denigruese të kolegëve, duke përshkallëzuarv edhe qëndrimin e saj.
Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë Komiteti Drejtues/Versus.al







