Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme do të shqyrtohet kërkesa e bërë nga avokatët e kreut të partisë së Lirisë, Ilir Meta për lirimin e këtij të fundit nga qelia e paraburgimit.
Në GJKKO ka mbërritur avokati Kujtim Cakrani i cili më herët ka deklaruar para mediave se ish-presidenti po mbahej në qeli në kundërshtim me ligjin pasi ndaj tij nuk kishte asnjë provë se kishte kryer veprat penale për të cilat e akuzon SPAK.
Duke qenë se Meta u mor i pandehur dhe Prokuroria e Posaçme njoftoi përfundimin e hetimeve për të dhe tashmë pritet që të vendoset nëse dosja e tij do kalojë për gjykim apo jo, avokatët e kreut të PL kanë kërkuar që klienti i tyre të lirohet nga qelia pasi nuk ka asnjë rrezik për të prishur provat. Mbi kërkesën e avokatëve për masë më të butë sigurie, do të vendosë gjyqtari i posaçëm Erjon Bani. Përfaqësues i Prokurorisë së Posaçme është Alfred Shehu, i cili është i gatshëm këtë periudhë, duke qenë se prokurorët e çështjes Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi nuk janë të pranishëm. Versus.al