
Gjirokastër- Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në lagjen “Zinxhira” ku një 50 vjeçar me probleme të shëndetit mendor i ka vënë flakën apartamentit të tij në një pallat 5-katësh.
Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, pork y rast nxori në pah një problem institucional dhe mungesën e një zgjidhje konkrete për personat me çrregullime të shëndetit mendor të cilët jetojnë të vetmuar dhe pa mbështetje.
E ëma e 50 vjeçarit kishte ndërruar jetë disa muaj më parë dhe prej asaj kohe gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm.
Banorët janë shprehur për Fiks Fare se ai shpesh bërtiste gjatë natës dhe nuk merrte më mjekimin e duhur.
“Ankoheshim vazhdimisht në komisariat dhe në shërbimet sociale, por nuk morëm asnjë zgjidhje,” thonë banorët. Madje, disa prej tyre tregojnë se kujdeseshin vetë për të, duke i çuar ushqim, pasi nuk kishte njeri që të kujdesej.
Fiksi u interesua pranë Bashkisë Gjirokastër, ku drejtues të shërbimit social konfirmojnë se janë njohur me rastin që prej muajve tetor-nëntor, pas ankesave të vazhdueshme të banorëve.
Sipas tyre, janë bërë kërkesa pranë Shërbimit Social Shtetëror, por pa asnjë përgjigje konkrete.
“Nuk kemi ku ta çojmë”, pranojnë ata, duke theksuar mungesën e institucioneve të specializuara për trajtimin dhe strehimin e rasteve të tilla.
Ata shtojnë se qytetari ishte dërguar më parë në Spitalin Psikiatrik në Vlorë, por ishte mbajtur vetëm për pak ditë dhe më pas ishte rikthyer sërish në komunitet.
Nga ana tjetër, policia e Gjirokastrës deklaron se nuk ka pasur kallëzime penale ndaj 50-vjeçarit, por vetëm ankesa për shqetësim të qetësisë publike.
Sipas tyre, raste të tilla referohen në prokurori bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, i cili parashikon pezullimin e dënimit dhe vendosjen në provë, në varësi të rrezikshmërisë së personit dhe kushteve të tij shëndetësore. Versus.al

