
Pas katër javësh hetime intensive, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka finalizuar operacionin e koduar “Labirinti 2”, duke goditur një grup kriminal të përfshirë në shitjen e lëndëve narkotike në disa zona të kryeqytetit.
Nga hetimet rezulton se rrjeti kriminal përbëhej nga 33 shtetas, të cilët vepronin individualisht ose të organizuar në grupe, duke shpërndarë lëndë narkotike në forma dhe mënyra të ndryshme. Për 22 prej tyre është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Gjatë fazës hetimore, policia kishte arrestuar edhe 5 persona të tjerë, ndërsa 6 shtetas të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti janë shpallur në kërkim. Puna vijon për lokalizimin dhe kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Si rezultat i operacionit, autoritetet kanë sekuestruar rreth 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, rreth 10 kilogramë kanabis, mbi 100 doza të gatshme për shitje, 5 automjete, 28 telefona celularë, 6 peshore elektronike dhe rreth 3 mijë euro para në cash.
Sipas hetimeve, aktiviteti kriminal ishte i shtrirë në një numër të gjerë zonash të Tiranës, përfshirë Bllokun, Kamzën, Laprakën, Selitën, Tiranën e Re, Shkozën, Ali Demin, Xhamllikun, Pazarin e Ri, Shkollën e Kuqe, Astirin, Myslym Shyrin dhe Komunën e Parisit.
Lëndët narkotike shiteshin në ambiente të ndryshme, përfshirë lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe përmes shpërndarjes së kamufluar si porosi të zakonshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për të çmontuar plotësisht këtë rrjet shpërndarjeje.

