
Pas disa muajsh hetime intensive dhe përdorimi të metodave speciale të ndjekjes, finalizohet operacioni policor i koduar “Metalurgjiku”, i koordinuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për goditjen e veprimtarive kriminale kundër mjedisit.
Si rezultat i operacionit: 16 persona u vunë në pranga, përfshirë 9 shtetas të huaj, me role drejtuese, teknike dhe punonjës.
8 aksionerë të subjekteve juridike shpallen në kërkim.
2 subjekte juridike procedohen penalisht për shkelje të ligjit Nr. 9754/2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”.
Hetimet zbuluan se subjekte të ndryshme tregtare në zonën e ish-Metalurgjikut, Bradashesh, Elbasan, ushtronin aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, duke shkaktuar ndotje të ajrit, ujërave dhe tokës, si dhe mosrespektim të rregullave për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përpunimin e baterive.
Si rezultat i ndërhyrjes policore, u arrestuan administratorë, drejtorë prodhimi, inxhinierë, drejtues teknikë, përgjegjës turni, operatorë furrash dhe punonjës. Mes të arrestuarve janë:
Juncheol Chung (J. C.), 64 vjeç, shtetas korean, administrator
Prakash Kadel (P. K.), 32 vjeç, shtetas nepalez
Shtetas indianë: Rahul Pal, Styend Pal, Munna Singh, Rajesh Yadav, Aaditiya Raj, Dheeraj Kumar, si dhe të tjerë me funksione teknike dhe operative
Shtetas shqiptarë: Jakup Karaj, Ismail Dybeli, Dorjan Xhufka, Elton Bejkolli, Besnik Abdiaj, Elton Beqi, Eglis Flaga, me role të ndryshme në aktivitetin e subjekteve
Masat e ndërmarra:
U vendosën gjoba administrative: 3.000.000 lekë për një subjekt dhe 10.000.000 lekë për tjetrin.
Aktivitetet e dy subjekteve u pezulluan deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.
U sekuestruan celularë dhe DVR për provat e mëtejshme.
Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, dhe nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për parandalimin e ndotjes së mjedisit në zonë.

