Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Përshtatja”, pas zbulimit të një ambienti të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura në Shijak.
Sipas njoftimit zyrtar, në një magazinë të marrë me qira në lagjen “Popullore” u konstatua një ambient i pajisur me llamba dhe mjete të tjera që shërbenin për kultivimin e kanabisit, i cili furnizohej me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme.
Gjatë kontrollit u sekuestruan 180 vazo ku dyshohet se më parë ishin kultivuar bimë narkotike, mbetje kanabisi, si dhe pajisje të ndryshme si llamba, ventilatorë, pompë uji, filtër ajrimi dhe materiale të tjera ndihmëse.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë katër shtetas: L. K., 54 vjeç dhe J. Gj., 31 vjeç, të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim; S. D., 24 vjeç, për moskallëzim krimi; si dhe R. B., 61 vjeç, punonjës i OSHEE-së, i dyshuar për shpërdorim detyre.
Ndërkohë është shpallur në kërkim D. K., 25 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në kultivimin e bimëve narkotike.
Sipas hetimeve, dyshohet se magazina ishte përshtatur për këtë aktivitet kriminal nga disa prej të arrestuarve, ndërsa punonjësi i OSHEE-së nuk ka raportuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e personit në kërkim dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Shijak/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Përshtatja”, për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Zbulohet në Shijak një ambient (magazinë) përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Vihen në pranga 4 shtetas të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.(njëri prej tyre punonjës i OSHEE-së).
Shpallet në kërkim një nga autorët autor e dyshuar.
Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.
Gjatë operacionit të koduar “Përshtatja”, shërbimet e Policisë kanë zbuluar një ambient (magazinë), të marrë me qira nga shtetasi J. Gj., në lagjen “Popullore”, Shijak, të cilin e kishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 180 vazo ku më parë ishin kultivuar bimë narkotike kanabis, por që ishin prerë para se të ndërhynte Policia, boçe dhe mbetje të dyshuara lënde narkotike kanabis, pompë uji, filtër ajrimi, tub për aspirim, 7 llamba elektrike, 7 ventilatorë, 16 paketa të energjisë elektrike, bllok siguresash dhe pajisje të tjera ndihmëse që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë 4 shtetas:
L. K., 54 vjeç, dhe J. Gj., 31 vjeç, pasi dyshohen për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim;
S. D., 24 vjeç, pasi dyshohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
R. B., 61 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. K., 25 vjeç,(djali i shtetasit L. K), i cili dyshohet për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi L. K., në bashkëpunim me djalin e tij, shtetasin D. K., i kishin dhënë me qira një ambient të mbyllur shtetasit J. Gj., të cilin, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kishin përshtatur me qëllim kultivimin e bimëve narkotike.
Ndërsa shtetasi R. B. (punonjës i OSHEE-së) dyshohet se nuk ka raportuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në atë ambient.
Ndërkohë shtetasi S. D, dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari kriminale që zhvillohej në atë ambient dhe nuk e ka kallëzuar.
Vijon puna për kapjen e 25-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme./Versus.al

