
Policia greke ka zhvilluar një tjetër operacion kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, duke çuar në zbulimin e dy grupeve kriminale aktive gjatë viteve 2020–2021.
Hetimet u bazuan në komunikimet e koduara të aplikacionit “Sky ECC”, ku sërish dolën në skenë emra shqiptarësh të përfshirë në trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe armëve.
Janë arrestuar 4 persona dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ndër ta rezulton edhe një ish-oficer i lartë i policisë greke, i dalë në pension në dhjetor 2024 me gradën Nënkolonel.
Ai kishte bashkëpunuar me shqiptarin Marius Diamanti (alias Mario Diamanti), i cili u vra në nëntor 2021 në Athinë.
Oficeri kishte ndihmuar në trafikun e drogës dhe armëve, si dhe në shmangien e arrestimit të disa pjesëtarëve të grupit.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar para cash (mbi 41 mijë euro), telefona, armë dhe një automjet i përdorur për trafik. Oficeri grek dyshohet gjithashtu se ka ndërmjetësuar për blerjen e armëve për Diamantin dhe kishte ndihmuar një emigrant gjeorgjian të shmangte detyrimet ligjore.
Mario Diamanti ishte një personazh i njohur i botës së krimit në Greqi, i përfshirë më herët në raste të ndryshme trafikimi, vrasje dhe falsifikim dokumentesh. Ai dyshohet gjithashtu si autori i një ekzekutimi mafioz të një trafikanti belg në vitin 2020 në Athinë.








