Avokati Armand Tragaj është një nga 14 të arrestuarit në kuadër të operacionit “Ura”, i ndërmarrë nga SPAK, ku dyshohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal. Tragaj akuzohet për kryerjen e veprës penale të ndikimit të paligjshëm, në katër episode të ndryshme.
Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Posaçme, Tragaj kërkoi një masë më të butë sigurie se ajo e “arrest me burg”, duke paraqitur si argumente gjendjen e rënduar familjare dhe atë psikologjike.
“Jam i rënduar psikologjikisht dhe vazhdimi i kësaj mase do të rëndojë situatat e mia familjare, ku kam babain e sëmurë, njerkën e paralizuar, vëllain në psikiatri dhe bashkëshorten me fëmijë të mitur. Për këto arsye kërkoj të jem pranë familjes,” – u shpreh Tragaj në sallën e gjyqit.
Në vijim të seancës që ka zgjatur mbi katër orë, janë marrë në pyetje dhe janë shqyrtuar masat për të gjithë personat e ndaluar. Një nga emrat e spikatur është edhe ai i ish-efektivit të RENEA-s, Altin Morina, për të cilin avokati mbrojtës Rigert Koni ka kërkuar që prokuroria të përcaktojë qartë rolet dhe veprat penale për secilin nga të arrestuarit.
Sipas mbrojtjes, e vetmja provë që ka shërbyer si bazë për dyshimet janë komunikimet e koduara të kryera përmes aplikacionit Sky ECC, një platformë e njohur për kriptimin e lartë që përdoret shpesh nga rrjete kriminale.
Avokatët e të arrestuarve ngulin këmbë që veç bisedave në Sky ECC, duhet të paraqiten prova të tjera materiale, për të justifikuar masën e sigurisë dhe për të individualizuar përgjegjësinë penale.
Deri tani, 11 nga 14 personat janë marrë në pyetje, ndërsa 3 të tjerë pritet të paraqesin mbrojtjen e tyre. Procesi vijon me tension dhe kërkesë për sqarim të rolit të secilit të ndaluar.
Ky zhvillim është pjesë e një hetimi të gjerë që lidhet me veprimtarinë e dyshuar të grupit të njohur si “Troplinajt” në Durrës, për të cilin autoritetet italiane kanë përcjellë informacion dhe prova të dyshuara./Versus.al







