AKTUALITET /

Pacientët drejtoheshin tek privati dhe paguanin çmime 'të kripura', çohen për gjykim të pandehurit e skandalit të Onkologjikut

Shkruar nga Versus
Pacientët drejtoheshin tek privati dhe paguanin çmime 'të
Mjekja Alketa Pere, mjeku Edmond Gashi, zv.drejtoresha e QSUT, Brikena Qirjazi

Prokuroria Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë persona, mes tyre zëvendësdrejtoreshën Brikena Qirjazin, koordinatorë, mjekë e specialistë të Spitalit Onkologjik në QSUT, si dhe një administrator të një kompanie farmaceutike.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”.

Hetimet të cilat po ndiqeshin nga SPAK, por më pas i kaluan prokurorisë së kryeqytetit, kanë zbuluar një skemë ku pacientët me sëmundje tumorale orientoheshin drejt klinikave private, në vend që të merrnin trajtimin e garantuar nga sistemin publik shëndetësor. Në vend që ndërhyrjet të kryheshin falas në spitalin shtetëror, pacientët detyroheshin t'i kryenin me tarifa të rritura në privat.

Të pandehurit:

Brikena Qirjazi, Edmond Gashi, Alketa Pere, Emiliano Lela, Drilona Kishta dhe Halil Gashi.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq gjashtë persona, mes të cilëve zv.Drejtoreshën, koordinatorin, mjekë e specialistë të Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) si dhe administratorin e një kompanie farmaceutike për veprat penale ‘Shpërdorim të detyrës’, ‘Fshehja e të ardhurave’ si dhe ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’ parashikuar nga nenet 248, 180/1 dhe 178/1 të Kodit Penal.

Fillimisht çështja u dërgua në Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vlerësim nëse kishte të bënte me ndonjë bashkëpunim që ishte kompetencë lëndore e kësaj prokurorie. Por u risoll në Prokurorinë Tiranë duke veçuar materialet në ngarkim të mjekut onklog E.G, për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funskione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Si rrjedhojë, në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.5071 të vitit 2023 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, arritën të dokumentojnë raste ku pacientëve të ndryshëm, pasi nuk i jepej trajtimi i duhur mjekësor orientoheshin në klinikat private ku kundrejt tarifave të fryra kryheshin shërbime dhe ndërhyrje kirurgjikale të cilat duhet t’i jepeshin falas nga mjekët e spitalit onkologjik pranë QSUNT.

Gjithashtu rezultoi se pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT ishte instaluar një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tomorale. Që të përdorej kjo aparaturë duhet të krijohej më parë një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose agjencia ndërkombëtare IEAHEA. Ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike e në dhomën ngjitur kabinetit të radiologjisë me një lloj radioaktiviteti që nuk mund të lejohet të vendoset në ambiente jo specifikë. Nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri nuk është në shfrytëzim por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë provoi se shtetasi E.L., në cilësinë e koordinatorit pranë Spitalit Onkologjik të QSUNT, ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procesin e administrimit dhe orientimit të pacientëve tek klinikat private për të marë kurën e trajtimit në luftën kundër sëmundjeve tumorale, në një kohë kur sigurohej nga shteti. Ai përzgjidhte pacientë nga radha e pritjes dhe i orientonte jo tek mjeku që kishin të rekomanduar sipas procedurave, por tek klinikat private, duke përfituar përqindje monetare. Në analizë të fakteve dhe provave të mbledhura rezultoi e provuar se i pandehuri E.L., ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Po kështu edhe e pandehura A.P., në cilësinë e administratores pranë Spitalit Onkologjik të QSUT, u provua se dërgonte pacientët drejt klinikave private, në tejkalim të kompetencave dhe në kundërshtim me rregullat ligjore dhe procedurale që rregullojnë ushtrimin e profesionit mjekësor dhe administrimin e dokumentacionit shëndetësor. Në analizë të fakteve dhe provave të mbledhura rezultoi e provuar se e pandehura A.P ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë provoi gjithashtu se edhe shtetasja B.Q., në cilësinë e Zv/Drejtoreshës në QSUT e ngarkuar me mbulimin e shërbimit onkologjik, nuk ka marrë masat e nevojshme për garantimin e funksionimin e rregullt dhe të sigurt të pajisjes së burimit të kobaltit. Ajo nuk ka marrë masa për vënien në funksion të kësaj pajisjeje, duke bërë që pacientëve të mos u ofrohej në kohë shërbimi i nevojshëm mjekësor. Për pasojë, pacientëve nuk u është dhënë mundësia e zgjedhjes së metodës së trajtimit, duke u kufizuar vetëm në një alternativë të vetme trajtimi. Sa më sipër, rezulton e provuar se e pandehura B.Q. ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Në vijim të hetimeve, rezultoi se edhe shtetasja D.K., në cilësinë e specialistit pranë QSUT ka pasur detyrimin ligjor të kryejë ekspertizën lidhur me menaxhimin e burimeve radioaktive dhe mbetjeve të tyre. Kjo shtetase hartoi një ekspertizë që nuk ishte në përputhje me gjendjen reale dhe me të dhënat e dhëna nga përfaqësuesit e njësisë së Radioterapisë. Gjithashtu rezulton se kjo ekspertizë është kryer përpara procesit të porositjes së burimit të kobaltit, çka ka sjellë si pasojë marrjen e një vendimi për porositjen e një burimi radioaktiv që nuk është vendosur në funksion dhe nuk është përdorur. Si pasojë e kësaj veprimtarie është shkaktuar dëm ekonomik për institucionin, duke cenuar interesat e ligjshme të shtetit. Sa më sipër, shtetasja D.K., rezulton se ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Përsa i përket shtetasit H.G., rezultoi se ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për operacionet dhe shërbimet e kryera në klinikë, duke përfshirë shërbime si skaner dhe mamografi, si dhe ka lejuar që mjekë të punojnë në mënyrë të paregjistruar. Ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për shërbimet dhe operacionet e kryera në klinikën që administronte, ka lejuar mjekë të punojnë pa regjistrim ligjor dhe ka përfituar materialisht nga ky sistem i fshehjes së të ardhurave. Sa më sipër rezultoi e provuar se i pandehuri H.G. ka konsumuar veprën penale të “Fshehja e të ardhurave”.

Së fundmi, shtetasi F.M., në cilësinë e administratorit të “Flori Farma”, ka bërë blerjen dhe vënien në qarkullim të barnit “Valamor”, të cilin e dinte ose duhej të dinte se ishte kontrabandë (pa pullë të AKBPM-së dhe me barkod të dëmtuar). Si administrator i subjektit farmaceutik ka marrë pjesë në aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të barnave kontrabandë, duke ditur ose duke qenë i vetëdijshëm për statusin e paligjshëm të barnit të blerë duke konsumuar veprën penale ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’. Versus.al

Poll