AKTUALITET /

'Partizani'/ Balla përball Malltezit: Si e dini ju planin e përhapjes, është sekret! Deputeti:Fakti që e privatizuat...

Shkruar nga Versus

'Partizani'/ Balla përball Malltezit: Si e dini ju planin e

Zbardhet një pjesë e dëshmisë së Taulant Balla në GJKKO, ku ai u paraqit si kallëzues në seancën për çështjen “Partizani”.

Gjatë seancës, në përballjen me Jamarbër Malltezi, u diskutua ndër të tjera për heqjen e ish-kompleksit “Partizani” nga plani i përhapjes, vendim që sipas Ballës i hapi rrugë privatizimit të pronës.

I pyetur nga Malltezi se si kishte dijeni për planin e përhapjes, i cili konsiderohet sekret, Balla u shpreh se vetë fakti që prona është privatizuar tregon se plani nuk ka qenë aq sekret, megjithëse pranoi se nuk e ka parë personalisht.

Në vijim të pyetjeve, Balla deklaroi se nuk kishte dijeni për qëndrimet e ish-zyrtarëve socialistë në vitin 2005 lidhur me privatizimin, ndërsa për emra të tjerë të përfshirë në vitin 2008 tha se kishte dëgjuar.

Sa i përket akuzës se “Malltezi dilte garant”, Balla theksoi se prova më e fortë, sipas tij, është akti i vlerësimit të pronës, ku dy godina në një zonë qendrore të Tiranës janë vlerësuar me rreth 100 mijë euro.

Ai shtoi gjithashtu se, sipas bindjes së tij, prona nuk duhej t’u kthehej pronarëve privatë, por duhej të mbetej në pronësi të shtetit, duke e konsideruar këtë një shkelje të interesit publik.

Pjesë nga debati:

Malltezi: A mendoni se është 6 muaj afati kur është kryer?

Balla: Në kallëzim kam pohuar se kjo pronë është kthyer shumë e shumë më herët.

Malltezi: Kur është hequr nga plani i përhapjes?

Balla: Nuk e mbaj mend. Nga media kam dëgjuar ish-zyrtarë të lartë të ushtrisë të shqetësuar për nxjerrjen e kësaj prone nga plani i përhapjes.

Malltezi: Si e dini ju planin e përhapjes, kur plani i përhapjes është sekret?

Balla: Fakti që e privatizuat, tregon se nuk ishte aq sekret.

Malltezi: E keni parë planin e përhapjes?

Balla: Jo, nuk e kam parë.

Malltezi: A jeni në dijeni që Majko dhe Klosi janë shprehur për privatizimin në 2005?

Balla: Jo nuk jam në dijeni.

Malltezi: Po që janë Ruli edhe Mediu në 2008?

Balla: Po, e kam dëgjuar.

Malltezi: Po përse nuk e paskeni dëgjuar nga ministrat socialistë?

Balla: Unë i shoh si ministra të shtetit shqiptar, jo se të kujt partie janë. Kushdo që ka bërë paudhësi, të mbajë përgjegjësi.

Malltezi: Cili ligj është shkelur në procedurë?

Balla: Mendoj se kjo pronë nuk duhet t’i kthehej pronarëve, por duhet ta kishte shteti shqiptar. Është shkelur interesi publik.

Malltezi: Në çfarë prove bazoheni kur keni thënë "Malltezi dilte garant".

Balla: Nuk ka prove më të lartë, sesa akti i vlerësimit të një  prone, dy godina të mëdha, në mes të Tiranës me 100 mijë euro./ Versus.al

Poll