Seanca e parë e nisjes së gjykimit për Berishën dhe 4 të pandehurit e dosjes "Partizani" u shty me arsyetimin e mungesës së njoftimit të Berishës sipas ligjit.
Xhimi Begeja dhe Jamarbër Malltezi ishin dy të pandehurit nga 5 në total të dosjes “Partizani” të cilët u paraqitën sot në seancën e parë gjyqësore. Ish-kryeministri Sali Berisha dërgoi avokatët e tij, Klodiana Gjyzari dhe Genc Gjokutaj.
Ndërsa SPAK përfaqësohet nga Arben Kraja, teksa kolegia e tij Enkeleda Millonai nuk merr pjesë për arsye shëndetësore. Seanca tashmë ka nisur me trupë gjykuese, Elsa Ullirin (kryetare) dhe Bib Ndreca e Rudina Palloj si anëtarë.
Avokatja e Berishës, Klodiana Gjyzari arsyetoi se njoftimi për Berishën është bërë me vonesë.
“Njoftimi la shkuar ditën e premte për berishën, është firmosur nga malltezi. Koha ka qenë e shkurtër për tu njoftuar sipas shpjegimit që dha Malltezi. Edhe ne nuk kemi patur kontakte gjatë kësaj kohe”- tha ajo.
Ndërsa prokurori i posaçëm Arben Kraja kërkoi shtyrjen e seancës pasi nuk është bërë njoftimi i Berishës sipas ligjit dhe i pandehuri tjetër Fatmir Bektashi nuk u paraqit për arsye shëndetësore. Seanca e radhës do të mbahet më 21 korrik në orën 10:00, e njëjta datë kur Berisha ka paraqitjen në SPAK për masën e sigurisë. Versus.al







