Sot në orën 13:00 në GJKKO do të zhvillohet sërish seanca paraprake për dosjen “Partizani”, hetimet e së cilës kanë përfunduar prej shtatorit të vitit të kaluar, por që prej tetorit kur u mbajt seanca e parë, ka patur shtyrje të vazhdueshme.
Gjyqtarja Flojera Davidhi pritet të vendosë sot nëse dosja ku mes 5 të pandehurve janë edhe Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, do të kalojë ose jo për gjykim. Mundësia tjetër është që dosja t’i kthehet SPAK për plotësim hetimesh. Në rast se vendoset që dosja të mos kalojë për gjykim, atëherë mbyllet çështja.
Në seancën e fundit paraprake, e mbajtur më 18 prill, mungoi avokati Luan Hasneziri, përfaqësues ligjor i kompanisë “Homeplan”, i cili paraqiti një raport mjekësor. Të pandehurit kërkuan shtyrjen e seancës por gjyqtarja Davidhi vendosi zëvendësimin e tij me avokaten Pranvera Daci.
Në prani të saj u zhvilluan qëndrimet e prokurorisë dhe prapësimet e mbrojtjes. Megjithatë, për shqyrtimin e prapësimeve të kompanisë “Homeplan”, duhej prania e avokatit Hasneziri, dhe vendimmarrja u shty për sot, 23 Prill. Seanca e sotme pritet të jetë e fundit, dhe gjyqtarja do të tërhiqet për vendim.
Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha se edhe vendimi që do të merret nga gjyqtarja, pritet të jetë i shtrirë në kohë për shkak të faktit që seancat paraprake janë shtyrë vazhdimisht dhe normalisht vendimmarrja duhet të kërkojë kohën e nevojshme.
Të pandehurit për dosjen “Partizani”:
-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
-Fatmir Bektashi - Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'
-Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' akuzohet për 'Pastrim Parash'
-Andia Pustina - Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k - Akuzohet për 'Pastrim Parash'. Versus.al








