
Pas vendimit të AKU-së, ushqimi për foshnja “Aptamil AR2”, është hequr nga tregu.
Disa seri të këtij produkti u zbuluan me prani të substancës Cereulide.
“Duke qenë se niveli i rrezikut është vlerësuar serioz, firma ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit, APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi, ENG 24 x 400 gr. Prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone”, njoftoi AKU.
Në një njoftim, biznesi distributor i shpërndarjes së produktit në treg, njofton qytetarët që kanë blerë qumësht Aptamil, të mos e përdorin atë dhe ta kthejnë në pikat e shitjes duke u rimbursuar.
Njoftimi i plotë
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi më 22 janar se bëhet fjalë për produktin NAN 1 OPTIPRO, për të cilin është identifikuar prania e një bakteri potencialisht të dëmshëm.
Pas sinjalizimit të marrë përmes sistemit europian të alarmit për ushqimet, AKU ka kryer verifikimet përkatëse dhe ka bllokuar të gjithë sasinë e produktit që ndodhej në qarkullim në vend. Produkti është tërhequr nga pikat e shitjes dhe është vendosur që të asgjësohet ose të kthehet në vendin e origjinës.
Autoriteti u bëri thirrje prindërve që e kanë blerë këtë qumësht formulë të mos e përdorin dhe ta dorëzojnë në dyqanin ku e kanë blerë, si masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të foshnjave.
Sipas njoftimit zyrtar, veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me strukturat përkatëse dhe kanë për qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe shmangien e çdo rreziku për konsumatorët më të vegjël.


