
Katër ditë pas zjarrit që përfshiu pallatin “Arlis” në Tiranë, banorët e dëmtuar po përballen me një tjetër problem serioz: grabitjen e banesave të tyre të djegura.
Sipas dëshmive të banorëve, persona të paautorizuar po futen në ambientet e godinës dhe po marrin materiale të riciklueshme, si dhe pjesë nga pajisjet elektro-shtëpiake që kanë mbetur pas zjarrit.
Ata shprehen se situata është alarmante dhe se mungesa e sigurisë po u shton edhe më shumë dëmet.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Policia e Shtetit dhe vendosjen e një pranie të përhershme në zonë për të parandaluar vjedhjet.
Sipas tyre, institucionet duhet të kishin reaguar që në momentet e para pas zjarrit, duke izoluar ndërtesën dhe duke ndaluar hyrjen e personave të paautorizuar.
Ata theksojnë se, përveç humbjeve të mëdha nga flakët, tashmë po përballen edhe me dëme të reja si pasojë e vjedhjeve, duke e rënduar më tej situatën e tyre./Versus.al

