AKTUALITET /

“Për 20 vite shiti 532 mld lekë naftë, por deklaronte humbje”, prokuroria: Bankers shmangu tatimet dhe pastroi para

Prokuroria e Fierit thotë se ka zbardhur skemën e mashtrimit 20 vjeçar nga kompania e naftës 'Bankers Petroleum' që pavarësisht se shiti 532 miliardë lekë naftë brenda dhe jashtë vendit, deklaronte humbje dhe shmangte tatimet duke përfituar edhe nga rimbursimi i TVSH.

Shkruar nga Versus
“Për 20 vite shiti 532 mld lekë naftë, por deklaronte
Të arrestuar, ish-drejtori Leonidha Çobo dhe drejtori aktual kinez Hongping Xiao

Prokuroria e Fierit ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me aksionin e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në zyrat e komapanisë së naftës “Bankers Petroleum” në Patos-Marinza.

Nën dyshimin për mashtrim me shmangien e tatimeve për 20 vite me radhë, janë lëshuar 14 masa sigurie prej të cilave janë ekzekutuar 9, ndërsa janë në kërkim edhe 5 persona të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve kinezë.

Prokuroria njofton se hetimet nisën në dhjetor të vitit të kaluar pasi drejtoria e tatimeve referoi një kallëzim ndaj kësaj kompanie nën dyshimin se po shmangte detyrimet tatimore duke i shkaktuar një dëm të madh buxhetit të shtetit. Mes të arrestuarve janë drejtori aktual i kompanisë, kinezi Xinping Xiao, ish-drejtori Leonidha Çobo dhe ish-drejtori i Financës Ardit Kero.

“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fuer dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në disa ambiente të kompanisë si dhe në banesa private, nga ku janë sekuestruar sende që i përkasin veprave penale dhe u ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani. Ndërsa u shpallën në kërkim 5 (pesë) shtetas, kryesisht të huaj. Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes”- njofton prokuroria.

Në arsyetimin e dhënë nga organi i akuzës pretendohet se që prej vitit 2004 që kjo kompani ushtron veprimtarinë e saj e deri në vitin 2024, ka dalë me humbje duke bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur nga ky aktivitet pavarësisht se përrlogaritet tregojën që ka eksportuar dhe shitur brenda vendit 532 miliardë lekë naftë.

Skema e ndjekur ka qenë deklarimi i shpenzimeve shumë më të larta, duke bashkëpunuar edhe me kontraktorët e tjerë në mënyrë që kompania jo vetëm që të mos paguante tatime, por edhe të përfitonte nga rimbursimi i TVSH-së, duke i shkaktuar shtetit shqiptar miliona euro dëm ekonomik.

“Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro”- shtohet më tej.

Hetimet janë ende në vijim pasi dyshohet se janë përdorur skema të ndryshme mashtrimi për TVSH-në dhe janë përfshirë edhe shumë persona dhe individë të tjerë. Versus.al

Poll