AKTUALITET /

Plagoset një i ri në Korçë, shkak borxhi prej 10 mijë lekësh

I riu plagoset me thikë dhe grushta, policia në kërkim të autorit

Shkruar nga Versus

Plagoset një i ri në Korçë, shkak borxhi prej 10 mijë

Një konflikt mes dy personave ka përfunduar me plagosjen e një të riu në qytetin e Korçës, pas një përplasjeje që dyshohet të ketë lindur për shkak të një borxhi prej 100 mijë lekësh të vjetra.

Sipas informacioneve paraprake, debati mes dy personave ka degjeneruar në dhunë fizike, ku njëri prej tyre ka goditur të riun me grushte dhe më pas e ka qëlluar me thikë. Si pasojë, i plagosuri ka marrë një dëmtim të lehtë në pjesën e barkut, si dhe lëndime të tjera në trup nga goditjet e marra gjatë konfliktit.

Menjëherë pas ngjarjes, ai është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Korçës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime spitalore bëjnë me dije se fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë, të cilat kanë nisur menjëherë veprimet hetimore dhe kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar. Ndërkohë, grupi hetimor po merr në pyetje të plagosurin dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave.

Efektivët e policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

 

Poll