AKTUALITET /

'Policia'/ Kishin kthyer apartamentin në Sarandë në “shtëpi bari”, momenti kur uniformat blu shpërthejnë derën dhe hyjnë brenda

Operacioni policor “Green Flat” çon në zbulimin e një apartamenti të përshtatur për kultivim kanabisi në Sarandë, ku u sekuestruan qindra bimë dhe dhjetëra kilogramë lëndë narkotike. Një 30-vjeçar u arrestua në flagrancë, ndërsa një bashkëpunëtor u shpall në kërkim dhe 4 punonjës të OSHEE po hetohen për shpërdorim detyre.

Shkruar nga Versus

'Policia'/ Kishin kthyer apartamentin në Sarandë në

Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Green Flat”, duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, në qytetin e Sarandës.

Si rezultat i hetimeve disa javore, të zhvilluara nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, u zbulua një apartament në rrugën “Butrinti” që ishte përshtatur për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e kanabisit me qëllim shitjen.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap brenda apartamentit duke u kujdesur për bimët narkotike. Po ashtu, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi M. Q., 26 vjeç, banues në Korçë.

Nga verifikimet rezultoi se ambienti furnizohej me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme. Në vijim të veprimeve procedurale, nisi procedimi penal për 4 punonjës të OSHEE Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 26.6 kg lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 260 bimë narkotike të kultivuara në vazo, si edhe pajisje të shumta që shërbenin për këtë veprimtari kriminale, përfshirë llamba elektrike, siguresa, pajisje ndriçimi, një automjet dhe disa celularë.

Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./Versus.al

Poll