AKTUALITET /

"Porto Palermo" iu dha privatit, sherr në komision për tenderin, biznesmeni godet anëtarin e komisionit

Mediat shkruajnë se dëshmitarët okularë brenda ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit kanë parë përplasje fizike mes biznesmenit dhe njërit prej anëtarëve të komisionit.

Shkruar nga Versus

"Porto Palermo" iu dha privatit, sherr në komision për

Një tjetër incident është shënuar brenda zyrave të shtetit shqiptar ku ka patur përplasje fizike të shpeshta gjatë javëve të fundit. Më 24 shkurt të këtij viti në ambientet e ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, teksa zhvillohej procedura e ankandit për dhënien në përdorim të objekteve të ushtrisë në Porto Palermo të Himarës, një biznesmen pati konflikt me një prej anëtarëve të komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Shkak dyshohet se është bërë favorizimi i një biznesmeni tjetër i cili sipas pretendimeve nuk kishte përmbushur kriteret e caktuara as për të marrë pjesë. Për këtë ngjarje, një tjetër biznesmen ka depozituar kallëzim penal në policinë e Tiranës. Kallëzimi përmend dyshime për “shpërdorim detyre”, “manipulim ankandi” dhe “shkelje të barazisë në procedurat publike”.

Në njoftimin zyrtar të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik (APP), thuhej se ofertat me zarf të mbyllur duhej të dorëzoheshin pranë Komisionit të Ankandit në momentin e zhvillimit të procedurës, konkretisht në orën 10:00. Megjithatë, sipas pretendimeve të kallëzuesve, përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë janë paraqitur në institucion rreth orës 09:15 për të dorëzuar ofertat, por janë udhëzuar nga punonjësja e protokollit që zarfet të depozitoheshin fillimisht në protokoll, duke u paralajmëruar se në të kundërt nuk do të lejoheshin të merrnin pjesë në ankand.

Në kallëzim argumentohet se ky veprim përbënte një devijim nga procedura e shpallur publikisht. Për shkak të këtij paralajmërimi, ofertuesit kanë dorëzuar zarfet e mbyllura në protokoll, ku secilit iu vendos edhe numër protokolli.

Sipas kallëzimit, situata u bë edhe më problematike kur përfaqësuesit e operatorëve hynë në ambientin ku zhvillohej ankandi rreth orës 10:10. Në atë moment, një nga ofertuesit konstatoi se zarfi i tij ishte i hapur, ndonëse sipas tij ishte dorëzuar i mbyllur. Ky fakt u ngrit menjëherë përpara Komisionit të Ankandit, duke kërkuar verifikim të situatës.

Megjithatë, sipas pretendimeve të përfshira në kallëzim, Komisioni nuk e ndërpreu procedurën dhe nuk zhvilloi asnjë verifikim mbi rrethanat, por vendosi skualifikimin e ofertës me argumentin formal se “zarfi ishte i hapur”. Sipas denoncuesve, kjo situatë ngre dyshime serioze për cenim të integritetit të ofertës, ndërhyrje të mundshme në dokumentacion dhe shkelje të parimit të barazisë dhe transparencës në procedurë.

Në dokument theksohet gjithashtu se, në rast se zarfi do të kishte qenë i hapur që në momentin e dorëzimit në protokoll, punonjësja e protokollit kishte detyrimin ligjor të evidentonte gjendjen e tij dhe të regjistronte përmbajtjen përkatëse, gjë që sipas kallëzuesve nuk ka ndodhur.

Sipas kallëzimit penal, gjatë procedurës Komisioni ka skualifikuar dy operatorë ekonomikë, ndërsa ka kualifikuar një person fizik, të cilit i është pranuar dokumentacion i paplotë. Konkretisht përmendet një deklaratë e panoterizuar, e cila sipas ankuesve bie ndesh me kërkesat e dokumenteve të ankandit. Versus.al

Poll