Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka refuzuar kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për lejimin e përkohshëm të kryebashkiakut të paraburgosur Erion Veliaj, me qëllim pjesëmarrjen fizike në mbledhjen e këshillit që pritej të zhvillohej në datat 16–18 dhjetor 2025, ku do të diskutohej edhe projektbuxheti.
Në përgjigjen zyrtare, të firmosur nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado, SPAK sqaron se kërkesa është trajtuar si kërkesë për “leje të veçantë”, e cila sipas legjislacionit në fuqi mund të jepet vetëm në raste të kufizuara, si sëmundje të rënda që rrezikojnë jetën e familjarëve, ngjarje të rëndësishme familjare (vdekje, lindje apo martesë) ose për dhënien e provimeve nga vetë i dënuari apo i paraburgosuri.
Sipas SPAK, pjesëmarrja në një mbledhje të Këshillit Bashkiak nuk përbën shkak ligjor për dhënien e një lejeje të tillë, duke mos përmbushur kriteret e parashikuara nga ligji nr. 81/2020 dhe rregullorja e përgjithshme e burgjeve.
Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme ka vendosur mosdhënien e miratimit paraprak për pjesëmarrjen fizike të Erion Veliajt në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe ka njoftuar zyrtarisht kërkuesin për këtë vendim.
PËRGJIGJJA
Në Tiranë, viti 2025, muaji Dhjetor, data 17. Ne Altin Dumani dhe Ols Dado, Prokurorë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi u njohëm me kërkesën e nënshkruar nga Sekretari i Këshillit Bashkiak Tiranë, me nr. Prot. 42497/2 datë 16.12.2025,
KONSTATUAM
Se anëtarë të Këshillit Bashkiak Tiranë, kanë paraqitur kërkesë për lejim të përkohshëm për pjesëmarrje fizike të të pandehurit të paraburgosur Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak
që do të zhvillohet në një nga datat 16 deri në 18.12.2025. Në lidhje me këtë kërkesë, duhet mbajtur në konsideratë fakti se ligjvënësi, referuar ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, neni 73 pika 1 dhe 2, ka përcaktuar: se “I burgosuri ka të drejtën të përfitojë leje të veçantë në rast të sëmundjeve të
rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, ose të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje ose martesa, si dhe në rastet e dhënies së provimeve të vetë të dënuarit. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit.
Leja e veçantë për të dënuarin jepet nga Drejtori i Institucionit, ndërsa për të paraburgosurin jepet nga Drejtori i Institucionit, me pëlqimin paraprak të prokurorit. Gjithashtu, bazuar në VKM nr. 209 datë 06.04.2022 “Për miratimin e rregullores së përgjithshme të burgjeve”, nenet 101-105, konstatohet i njëjti rregullim përsa i përket rasteve të lejeve të veçanta, të cilat janë shterruese, duke referuar përsëri tek sëmundjet e rënda të cilat rrezikojnë jetën e 1 anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, ose të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje ose martesa, si dhe në rastet e dhënies së provimeve të vetë të dënuarit. Në këto kushte, arrihet në përfundimin se kërkesa e bërë për lejimin e përkohshëm të shtetasit të paraburgosur Erion Veliaj, për pjesëmarrje fizike në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 16- 18.12.2025, e trajtuar si kërkesë për leje e veçantë nga organi procedues, nuk përmbush kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor përkatës. Për këto arsye, bazuar në nenin 73 pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 81/2020 si dhe VKM nr. 209 datë 06.04.2022,
VENDOSËM
1. Mosdhënien e miratimit paraprak në lidhje me Kërkesën për Leje të Veçantë, përsa i përket pjesëmarrjes fizike në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në datat 16-18 të muajit në vazhdim, të shtetasit të paraburgosur Erion Veliaj.
2. Të njoh me këtë vendim kërkuesin.


