
Seanca në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij dhe 3 të pandehurve të tjerë, është shtyrë për në datën 5 dhjetor. Arsyeja e shtyrjes është se Meta ka kërkuar që të njihet me aktet hetimore.
Kreu i PL ishte sot i pranishëm në seancë ndryshe nga herët e tjera dhe avokati i tij, Kujtim Cakrani tha se në vazhdim, Meta do jetë i pranishëm personalisht në çdo seancë për t’u përballur me pretendimet e SPAK kundër tij.
“Meta do jetë në çdo seancë sepse do të përballet me çështjen. Ju e njihni që nuk është njeri që fshihet, por që përballet. Do jetë në çdo seancë për të dëgjuar çdo pretendim”—u shpreh Cakrani duke shtuar ”Zoti Meta ka patur qëndrim korrekt. Është i relaksuar, ndoshta dhe palestra dhe shkrimi që po bën për librin që do nxjerrë e kanë relaksuar. Jemi në përballje nga sot”.
Sa i takon kërkesës së Metës për t’u pyetur si dëshmitar për 21 janarin, Cakrani tha se ish-presidenti është gati të flasë me fakte dhe dokumente sekrete të papublikuara më parë.
“Ne po presim i kemi dërguar prokurorit Alfred Shehu. Jemi në pritje, nëse ai do ta zbardhë nga persona që kanë informacione mbi ato ngjarje, ai do jetë në dispozicion për të dhënë shpjegime. Dhe ju e dini se shpjegimet e Metës janë jo vetëm me fjalë, por edhe me prova. Ndoshta edhe me dokumenta që deri sot nuk janë bërë publike për shkak të konfidencialitetit të tyre. ka dokumente që janë sekret shtetëror për të cilat akses ka vetëm prokuroria. Askush nuk e ka thirrur Metën, askush nuk ka patur dëshirë për ta zbardhur këtë çështje. Domethënia e këtyre dokumenteve është të zbardhet njëherë e mirë 21 janari, të mos kthehet sa herë që do Ajatollahu i politikës”- shtoi më tej avokati. Versus.al
