
Ish-kryeministri Fatos Nano prej 20 ditësh vijon të qëndrojë në terapi intensive, në një nga spitalet private të kryeqytetit.
Burime për Newsbomb bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e liderit historik të Partisë Socialiste, vijon të jetë e rëndë.
Pavarësisht ndihmës së bluzave të bardha, Nano i cili po lufton me vdekjen, nuk po jep asnjë reagim duke vijuar të jetë i pavetëdijshëm dhe reagimet ndaj dritës t’i ketë minimale.
Fatos Nano, rreth një muaj më parë, filloi trajtimin mjekësor në shtëpi, ku ka marrë oksigjen të vazhdueshëm dhe përkujdesje 24 orë nga personeli mjekësor. Ditë më parë, ai pësoi një arrest kardiak, por ndërhyrja e menjëhershme e ekipit të ambulancës bëri të mundur rikthimin e tij në jetë.
Siç kemi raportuar dhe më herët, truri i Nanos mbetet jashtë funksionit dhe problemi kryesor vijon të jetë rizgjimi i tij.
Përveç stafit të spitalit privat, në Tiranë ka mbërritur edhe një ekip i specializuar mjekësor nga jashtë, i cili po ndihmon në monitorimin e gjendjes së Nanos. Për momentin, nuk ka ende reagime nga të afërmit e tij, ndërsa shanset për përmirësim fatkeqësisht konsiderohen të pakta.
