
Gjykata e Posaçme ka vendosur që të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, biznesmenit Elman Abule dhe 27 të pandehurve të tjerë ku përfshihen individë e kompani.
Vendimi i marrë nga gjyqtarja e posaçme, Etleva Deda vjen pas disa seancave të zvarritura prej të pandehurve. Veliaj dhe Xoxa për shkak të rrethanave proceduriale ku ndodhen nuk kanë bërë parashtrime për të kundërshtuar akuzat.
Kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa herën e kaluar iu rrëzua kërkesa për të përjashtuar gjyqtaren Deda nga kryesimi.
Veliaj mbahet në qelinë e paraburgimit në Durrës që prej 10 shkurtit të vitit 2025 nën akuzë për 5 vepra penale që lidhen me: shpërdorim detyre, korrupsion pasiv, fshehje pasurie, pastrim parash dhe futja e sendeve të paligjshme në qeli. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për tre vepra penale. Dyshohet se ata kishin ngritur një skemë të përvetësimit të fondeve publike të bashkisë Tiranë dhe të pastrimit të parave të fituara në mënyrë kriminale. Versus.al

