Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili mbahet në paraburgim prej muajit shkurt të këtij viti, do të dalë sot para gjykatës së Lartë ku do t’i shqyrtohet kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë.
Trupa gjykuese që do të marrë vendimin përbëhet nga gjyqtarët Medi Bici dhe Sokol Binaj ndërsa relatore e çështjes është Albana Boksi. Ata do të shqyrtojnë argumentet e mbrojtjes përballë akuzave të SPAK që kërkon që kryebashkiaku të mbahet nën arrest me burg me arsyetimin se mund të prishë provat e hetimit që po kryen Prokuroria e Posaçme.
Më 10 shkurt të këtij viti, agjentët e BKH zbarkuan në zyrën e Veliajt në bashkinë e Tiranës ku iu komunikua masa e sigurisë ‘arrest me burg’ e firmosur nga GJKKO pasi SPAK ngriti dyshime se kryebashkiaku mund të jetë përfshirë në 9 raste korrupsioni dhe pastrim parash. Pas arrestimit, atij iu shtua edhe akuza e futjes së sendeve të paligjshme në qeli pasi përgjatë momentit që po transportohej në GJKKO i mori telefonin një efektivi policie për të komunikuar me njerëzit e tij.
Veliaj depozitoi rekursin më 19 maj 2025, duke kundërshtuar vendimin e Apelit të GJKKO-së, për masën e “arrestit me burg”. Rekurs në GJL kanë bërë edhe disa prej biznesmenëve të përfshirë në çështje, ndërsa bie në sy mungesa e emrit të bashkëshortes së kryebashkiakut, Ajola Xoxa.
Prej rreth 6 muajsh bashkia drejtohet nga kryetarja e komanduar Anuela Ristani, ndërsa ekziston edhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë më të madhe të vendit. Versus.al







