Situata në Siri ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë vitit të fundit, pas rrëzimit të regjimit të Bashar al‑Assad dhe vendosjes së një qeverie tranzitore, e cila arriti shpejt një marrëveshje bashkëpunimi me SHBA-në dhe aleancën ndërkombëtare kundër ISIS, për të luftuar qelizat e mbetura ekstremiste që ende kryejnë sulme sporadike ndaj forcave të sigurisë.
Autoritetet siriane po rimarrin kontrollin edhe mbi kampet e mëdha të personave të zhvendosur, përfshirë Al‑Hol, i cili dikur strehonte rreth 70 mijë persona në kushte shumë të vështira.
Ky kamp ka pasur lidhje të drejtpërdrejtë edhe me Shqipërinë, pasi aty ndodheshin dhjetëra familje shqiptare që kishin udhëtuar drejt zonave të konfliktit gjatë luftës civile.
Mes tyre ishte edhe rasti i Shkëlzen Dumanit, i cili humbi jetën në luftë pak pas vitit 2014, pasi kishte marrë me vete në Siri dy fëmijët e tij të mitur, Evën dhe Endrin.
Djali u kthye pranë nënës në tetor 2020 falë një operacioni riatdhesimi të organizuar nga shteti shqiptar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërsa Eva mbeti në kamp për vite me radhë.
Sot, në moshën 21-vjeçare, Eva Dumani ka arritur të dalë nga kampi dhe të rikthehet në Shqipëri.
Sipas burimeve, ajo është ndihmuar nga rrjete të trafikut të qenieve njerëzore për të kaluar ilegalisht nga Siria drejt kufirit me Turqia, shkruan Shqiptarja.com.
Pa dokumente identifikimi dhe me rrezikun e ndalimit nga autoritetet turke, ajo kontaktoi dajën e saj, i cili kishte ndjekur prej vitesh përpjekjet për kthimin e nipërve në atdhe. Ndërhyrja diplomatike e shtetit shqiptar me palën turke rezultoi vendimtare për rikthimin e saj.
Burimet thonë se aktualisht janë identifikuar edhe 22 shtetas shqiptarë të tjerë që kanë qenë në kampet siriane – kryesisht gra dhe fëmijë, shumë prej tyre jetimë – si edhe rreth 10 burra në burgje, ndërsa për disa të tjerë nuk dihet ende asgjë.
Dyshohet se një pjesë e grave dhe fëmijëve janë larguar nga kampet dhe janë strehuar në familje vendase, gjë që e bën shumë më të vështirë lokalizimin e tyre.
Në katër operacionet e zhvilluara nga viti 2019 deri në vitin 2022 janë riatdhesuar gjithsej 38 gra dhe fëmijë shqiptarë. Megjithatë, disa prej atyre që mbeten në Siri kanë refuzuar kategorikisht kthimin dhe janë fshehur, duke e bërë procesin e riatdhesimit edhe më kompleks për autoritetet shqiptare.

