AKTUALITET /

Protesta e opozitës/ Hita merr masat: Vetëm në bulevard, përndryshe vepron ligji!

Shkruar nga Versus

Protesta e opozitës/ Hita merr masat: Vetëm në bulevard,
Partia Demokratike ka thirrur sot në orën 19:00 protestën e radhës në kryeqytet, ndërsa Policia e Shtetit ka njoftuar masa të shtuara sigurie dhe bllokime të qarkullimit në disa akse kryesore të Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 23:45 e së enjtes deri në përfundim të tubimit do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e “Urës së Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.

Gjithashtu, nga ora 15:00 e datës 08.05.2026 dhe deri në mbyllje të protestës, do të ketë kufizime në lëvizje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, deklaroi se protesta duhet të zhvillohet brenda perimetrit të përcaktuar dhe në mënyrë paqësore.

“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që protesta të organizohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Leja është kërkuar për bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të jetë e përqendruar. Në rast të veprimeve joligjore do të veprohet sipas ligjit dhe Kodit Penal,” u shpreh Hita.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin përfshirjen në situata që cenojnë rendin dhe sigurinë publike gjatë tubimit./Versus.al

Poll