11 persona janë arrestuar nga policia dhe 22 të tjerë janë shoqëruar pas protestës së opozitës të zhvilluar mbrëmjen e 17 prillit para Kryeministrisë, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje me forcat e rendit.
Protesta, e organizuar nga opozita dhe e udhëhequr nga Sali Berisha, u përshkallëzua në fund të fjalimit të tij, ku një grup protestuesish hodhën fishekzjarrë dhe mjete piroteknike drejt godinës së Kryeministrisë.
Në reagim të menjëhershëm, Policia e Shtetit ndërhyri për shpërndarjen e turmës, duke përdorur ujë, gaz lotsjellës dhe mjete spraj, në një operacion që sipas autoriteteve synonte të shmangte përshkallëzimin e situatës.
Ndërhyrja e shpejtë e forcave të rendit bëri që protestuesit të shpërndaheshin brenda pak minutash, ndërsa disa pjesëmarrës, përfshirë deputetë të Partia Demokratike dhe ish-kandidatin Aulon Kalaja, raportohen të kenë marrë lëndime dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Partia Demokratike ka akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim të tepruar force gjatë ndërhyrjes në protestë./Versus.al


