Pas protestës së zhvilluar më 28 shkurt 2026 nga Partia Demokratike, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ka arrestuar katër persona të dyshuar për akte të dhunshme dhe shkelje të ligjit. Të arrestuarit janë: Leonardo Marku, 20 vjeç, Robespier Dervishaj, 33 vjeç, , Doris Rista, 21 vjeç dhe Sergei Rapo, 36 vjeç.
Sipas policisë, gjatë protestës ata ushtruan dhunë ndaj punonjësve të rendit, hodhën lëndë piroteknike dhe molotov, duke rrezikuar sigurinë e personave të pranishëm në Vila 31 dhe duke dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosura nga Bashkia Tiranë. Materialet e sekuestruara përfshijnë molotovë dhe lëndë piroteknike, të cilat janë dërguar për ekspertim kriminalistik.
Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë një 16-vjeçar për posedim të municionit të dyshuar për armë sportive.
Në kuadër të hetimeve, ndaj deputetit Klevis Balliu është bërë një kallzim në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) për shkelje të ligjit mbi përgjegjësinë penale të personave juridikë dhe për organizim dhe pjesëmarrje në manifestime të paligjshme.
Pamjet filmike të protestës janë administruar dhe po shqyrtohen për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me protestën e organizuar mesditën e djeshme, më datë 28.02.2026, në orën 18:00, thirrur nga subjekti politik Partia Demokratike, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale, arrestoi shtetasit:
L. M., 20 vjeç, R. D., 33 vjeç, D. R., 21 vjeç dhe S. R., 36 vjeç, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë protestës, kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, si dhe kanë hedhur lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të punonjësve të policisë dhe të Vilës 31, në momentin kur në ambientet e saj ndodheshin persona brenda, shtetas të huaj, duke rrezikuar sigurinë e tyre. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime në këtë godinë, si dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosura nga Bashkia Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar objekte dhe sende të hedhura (molotovë dhe lëndë piroteknike), të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.
Më tej, është proceduar në gjendje të lirë një shtetas i mitur, 16 vjeç, pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.
Si dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasin K. B., deputet, pasi ka shkelur ligjin nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Gjithashtu, janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Versus.al

