AKTUALITET /

Protesta e tretë kombëtare e PD/ Policia publikon masat: Ja rrugët që do të bllokohen

Policia e Tiranës ka njoftuar masat e sigurisë për garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, në zbatim të ligjit për tubimet. Kufizimet e qarkullimit fillojnë që nga ora 23:45 e datës 9 shkurt dhe vazhdojnë gjatë ditës së protestës:

Shkruar nga Versus

Protesta e tretë kombëtare e PD/ Policia publikon masat: Ja

Partia Demokratike e Shqipërisë do të mbajë të martën, më 10 shkurt 2026, në orën 17:00, protestën e tretë kombëtare para Kryeministrisë në Tiranë. Ky tubim vjen pas protestave të mëparshme të 22 dhjetorit 2025 dhe 24 janarit 2026, të cilat u shoqëruan me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve, duke e quajtur protestën një revoltë qytetare paqësore kundër asaj që opozita e quan "regjim kriminale" të kryeministrit Edi Rama. Sipas Berishës, protesta synon të detyrojë largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore, duke mbrojtur Kushtetutën, ligjin dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Policia e Tiranës ka njoftuar masat e sigurisë për garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, në zbatim të ligjit për tubimet. Kufizimet e qarkullimit fillojnë që nga ora 23:45 e datës 9 shkurt dhe vazhdojnë gjatë ditës së protestës:

Bllokim i lëvizjes dhe parkimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, duke nisur nga ora 23:45 e sotme deri në përfundim të tubimit.

Nga ora 15:00 e 10 shkurtit deri në mbarim të protestës: bllokim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia ka paralajmëruar se, në varësi të zhvillimeve, mund të ketë kufizime shtesë në akse të tjera rrugore.

Qarkullimi do të devijohet në rrugë alternative për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve. Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara dhe të përdorin rrugë alternative, si dhe të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që cenon rendin publik.

Protestat e mëparshme të opozitës u shoqëruan me incidente: më 22 dhjetor u hodhën molotovë drejt Kryeministrisë, duke shkaktuar djegie te një qytetar dhe plagosje të një efektivi policie; më 24 janar pati përplasje ku u lënduan 11 efektivë dhe u shoqëruan 18 persona.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të respektojnë masat e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të tubimit.

Njoftimi:

Tiranë/Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 17:00, para Kryeministrisë.

Me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:


-Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.


Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Policia e Tiranës i ben thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.

Në një konferencë për mediat, kryedemokrati Sali Berisha njoftoi datën e protestës së radhës, më 10 shkurt në orën 17:00. Kjo do të jetë protesta e tretë kombëtare e opozitës, pas asaj të 24 janarit, e cila u mbyll me përplasje dhe akte dhune mes protestuesve dhe forcave të rendit, ku 11 efektivë mbetën të lënduar dhe 18 persona u shoqëruan në Komisariat. /Versus.al

Poll