
Tre studentë shqiptarë janë arrestuar gjatë protestës së zhvilluar sot në Shkup, ku mijëra protestues po marshojnë në mbështetje të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, përfshirë edhe provimin e jurisprudencës.
Sipas informacioneve nga terreni, ndalimet kanë ndodhur gjatë marshimit të protestuesve në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë, në një zonë me prani të shtuar policore.
Protesta po vijon me pjesëmarrje të gjerë, ndërsa studentët kërkojnë garantimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në proceset institucionale dhe provimet profesionale.
Marshimi i studentëve shqiptarë në Shkup po vazhdon drejt Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa mijëra protestues kanë mbushur rrugët e qendrës së qytetit duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të drejtësisë dhe kryeministrit.

Për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve, Ura e Gurit është bllokuar nga fillimi deri te sheshi “Filipi i Dytë”, ndërsa protestuesit po marshojnë me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar.
Studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një të drejtë kushtetuese që nuk duhet të mohohet.
Ata dëgjohen duke brohoritur fjalët: “Gjuha shqipe identitet, gjuha shqipe amanet, gjuha shqipe nuk negociohet”.

