Tiranë- Prokuroria ka lëshuar 8 masa sigurie për shkelësit e ligjit në fushën e farmaceutikës. Masat janë lëshuar për skandalin e bërë publik me shitjet fiktive të “CFO Pharma” të Nadir Çaushollit sa u takon ilaçeve të rimbursueshme.
Për administratorin e kompanisë, Frigul Milla është caktuar masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa policia vijon kërkimet për kapjen e tij. Masa sigurie janë caktuar edhe për punonjës të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, mes të cilëve drejtori Spartak Zekja dhe punonjëset Romina Agalliu, Zade Mali dhe Esjana Gjisti.
Si funksiononte skema e shitjes dhe blerjes fiktive të ilaçeve për astmën
“CFO Pharma” me pronar Nadir Çaushollin përdorte dy subjektet e tjera “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” të zotëruara prej tij për qëllime përfitimi duke paraqitur të dhëna të rreme sikur kishte blerë prej tyre ilaçe “Foster” dhe “Trimboë” të cilat ato nuk i dispononin realisht. Qëllimi ishte rimbursimi i vlerës së ilaçeve. Këto dy subjekte kanë falsifikuar faturat e blerjes dhe inventarin duke bërë që të paraqiteshin sikur i kishin në gjendje për t’i shitur. Si pasojë e shitjes fiktive të këtyre produkteve ata përfitonin fonde të rimbursueshme nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor të Detyrueshëm.
“Pharma Plus” dhe “Nedix Albania” janë shpërndarës të themeluar de facto nga pronari i CFO Pharma të cilët kanë lidhur një kontratë me FSDKSH ku kanë deklaruar shifra fiktive të gjendjes fillestare të inventarit me qëllim shitjen fiktive të ilaçeve në CFO Pharma e më pas në farmaci të ndryshme.
Deklarimet e subjekteve dhe përfitimet nga rimbursimet
Subjekti “Pharma Plus” ka deklaruar 2000 kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimboë” në vlerë 10 milion lekë të reja, pa asnjë blerje. Subjekti “Medix Albania” ka deklaruar 4000 kuti “Foster” dhe 11 500 kuti “Trimboë”, në vlerë 60 milionë lekë, pa asnjë blerje.
Sipas prokurorisë, miratimi i këtyre inventarëve fiktivë dhe lidhja e kontratave të këtyre subjekteve nga zyrtarë të Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor tregon qartë se ka patur përfshirje të tyre për shitjet fiktive.
Hetimet e prokurorisë nisën pas kallëzimit të bërë prej Ilir Shehu, administratorit të subjektit “Medicameta” që është importues ekskluziv farmaceutik i licensuar dhe kontraktuar me FSDKSH për rimbursimin e disa barnave. I.Sh kallëzoi se është në dijeni të faktit se subjektet “CFO Pharma”, “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” në bashkëpunim me nënpunës publikë të FSDKSH po kryenin veprimtari të kundërligjshme për shitblerje fiktive të dy medikamenteve të përmendura dhe në këtë mënyrë përfitojnë nga shteti rimbursime në shuma të konsiderueshme monetare.
Masat e sigurisë:
Alba Zyfo- “detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit
Jona Berberi- detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit
Lorela Ballabani- detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit
Frigul Milla- arrest me burg (në kërkim)
Spartak Zekja- arrest me burg (i arrestuar)
Zade Mali- pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë shtetit
Esjana Gjishti-pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë shtetit
Romina Agalliu- detyrim paraqitje.
Këta persona dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë fshehur të ardhurat lidhur me shitjen dhe blerjen fiktive të ilaçeve “Trimboë” dhe “Foster” duke i shkaktuar dëm ekonomik shtetit me rimbursimet e dhëna për subjektet e CFO Pharma. Versus.al
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       