AKTUALITET /

QSUT pa drita, mjeku për skandalin: Krim institucional, u kalua vija e kuqe! Fat që nuk pati viktima

Shkruar nga Versus

QSUT pa drita, mjeku për skandalin: Krim institucional, u kalua vija e

Mbrëmjen e djeshme një rast skandaloz u regjistrua në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza ku për 40 minuta nuk kishte energji elektrike. Për këtë skandal reagoi sot edhe mjeku psikiatër Neli Demi i cili shkroi në rrjetet sociale se kemi të bëjmë me një krim institucional dhe jo defekt teknik.

Sipas tij është thjesht fat që nuk pati viktima nga ky skandal dhe jo sukses i sistemit. Më tej shtoi se një shtet që mbështetet te fati për të mbrojtur jetën e qytetarëve nuk është më shtet, por “rrezik publik”.

Reagimi i plotë:

Fakti që reanimacioni, urgjenca dhe shërbime jetike në Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza kanë mbetur pa energji elektrike është krim institucional, jo “defekt teknik”. Kjo është vijë e kuqe e kaluar. Në asnjë vend normal: reanimacioni, terapia intensive, sallat e operacionit nuk mbeten pa energji elektrike, kurrë. As për sekonda. As për minuta. As “rastësisht”.

Nëse pacientët janë nxjerrë në korridore, kjo do të thotë se: sistemet rezervë nuk ekzistojnë realisht, ose janë jashtë funksioni, ose nuk janë testuar kurrë, ose drejtuesit nuk kanë besim te to. Secila prej këtyre do ishte një dështim kriminal në menaxhimin e shërbimeve jetike.

Mos na flisni për: linja 110 kV, OSHEE, avari të papritura, “ishte për pak minuta”. Në mjekësi “pak minuta” vrasin. Në reanimacion sekondat vrasin. Nëse sot nuk ka viktima, kjo nuk është sukses i sistemit, por fat i verbër. Dhe një shtet që mbështetet te fati për të mbrojtur jetën e qytetarëve nuk është shtet, është rrezik publik. Ky nuk është problem teknik. Ky është problem përgjegjësie penale, administrative dhe morale.

Duhet hetim i pavarur dhe publik, auditim urgjent i sistemeve UPS dhe gjeneratorëve, publikim i menjëhershëm i protokolleve të sigurisë dhe largim i drejtuesve përgjegjës, pa justifikime dhe pa vonesa. Reanimacioni nuk është shërbim “i rëndësishëm”. Është kufiri i fundit mes jetës dhe vdekjes. Kush e ka lënë atë kufi pa energji, ka dështuar në detyrën më bazike të shtetit: mbrojtjen e jetës njerëzore. Dhe për këtë duhet dhënë llogari. Versus.al

Poll