
Ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit që e dënoi me 1 vit burg për korrupsion zgjedhor.
Për shqyrtimin e çështjes është caktuar si relator gjyqtari Genti Shala, ndërsa pritet që Gjykata e Lartë të vendosë mbi kërkesën për prishjen e vendimit të Apelit.
Pas shpalljes së vendimit, Memolla u vetëdorëzua pranë autoriteteve dhe më pas u transferua në burgun e Rrogozhinës, ku po vuan aktualisht dënimin. Si pasojë e arrestimit të tij, drejtimi i bashkisë është marrë përkohësisht nga një kryetar i komanduar.
Hetimet ndaj Memollës nisën pas publikimit të një audio-përgjimi, ku ai, në kohën kur ishte kandidat për kryetar bashkie, dëgjohej duke ndërhyrë tek një punonjës i OSHEE-së për të shmangur ndërprerjen e energjisë elektrike për një abonent debitor.

